E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy funksionrë të Ministirsë së Ekonomisë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Dy zyrtarë të Ministirsë së Ekonomisë janë përfshirë në afërat me pensionet false. Të dyshuar si falsifikator të rreth 200 në minierën e prisës janë vënë në pranga Fatmir Sula, përgjegjës i zyrës së inxhinierve në Drejtorine e “ALBA MINIERAVE” pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Rabie Pupla, aktualisht me detyrë përgjegjëse e zyrës se vlerësimit pranë degës së Thesarit Tiranë.
Nën të njëjtat akuza është vënë në pranga Qazim Laçi, ish-drejtori i minierës së boksideve në fshatin Priskë, Tiranë. Burime nga policia bënë të ditur se arrestimi i tyre është bërë mesditën e djeshme në orën 15:00. Sipas të njëjtave burime, prangosja e tyre është bërë pasi kanë marrë shuma parash për të bërë dokumente false, që persona të ndryshëm të përfitonin pensione. Deri më tani ndaj të arrestuarve janë gjetur prova në 16 dosje të dorëzuara në Sigurimet Shoqërore, ku persona të ndryshëm kanë përfituar pensione.
Arrestimi
Prej disa muajsh policia kishte vënë nën përgjim personat e arrestuar: Qazim Laçin, Fatmir Sulajn dhe Rabie Puplën. Pikërisht këta persona kanë qenë të dyshuar për dhënien e dokumenteve false që të merreshin pensionet e pleqërisë. Deri më tani është bërë e ditur se shumat e marra nga një përfitues kanë qenë 50 mijë lekë. Burime nga policia thanë se, përveç të arrestuarve, ka dhe persona të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë. Nën hetim janë dhe specialistë të kuadrit në atë kohë, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, specialistë të kuadrit pranë ish-minierës së Kërrabës, Priskës, etj. Ndërkaq që nën kontrolle ndodhen dhe një numër i madh dosjesh të pensioneve. Këto janë dërguar në prokurori nga vetë Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.
Hetimet
Hetimet në lidhje me të arrestuarit kishin nisur më shumë se tre muaj më parë. Ka qenë vetë drejtori i Sigurimeve Shoqërore, ai që deklaroi se shumë dosje pensionesh ishin të falsifikuara. Më pas prokuroria dhe policia morën nën hetim 200 dosje. Këto janë marrë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Sipas policisë, të gjithë këta persona kanë marrë pensione në mënyrë të pamerituar. Dyshohej se këta qytetarë, të ardhur nga rrethe të tjera të vendit dhe Tirana, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar pension të pamerituar. Ata janë paraqitur si ish-punonjës të minierave të kryeqytetit, si në Priskë, por dhe në Kërrabë. Në këtë mënyrë ata kanë përfituar këtë pension qysh nga viti 2000, duke i sjellë shtetit dëme të konsiderueshme monetare.

Qazim Ali Laçi, 60 - vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tirane, ish drejtor në Minierën e Priskës.
Fatmir Gani Sula, 51 - vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, ish Kryetari i Degës së Kuadrit në Minierën Priskës, aktualisht përgjegjës i zyrës së inxhinierve në Drejtorine e “ALBA MINIERAVE” pranë Ministrisë së Ekonomisë.
Rabie Abdi Pupla, 43 - vjeç, lindur në Burrel dhe banuese në Tiranë, ish Pergjegjëse e Zyrës së verifikimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht me detyrë përgjegjëse e zyrës se vlerësimit pranë degës së Thesarit Tiranë.

Mashtrimet me pensionet
Mashtrimi me pensionet ka bërë që Policia e Tiranës, të konfiskojë më shumë se 200 dosje të personave që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë këtë gjë. Uniformat blu të kryeqytetit kanë bërë të ditur dje se ka nisur një hetim i gjerë ndaj disa personave, mes tyre edhe ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurime Shoqërore, pasi dyshohen për disa akuza, si “mashtrim nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve” dhe “vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara”. Ndërkaq deri më tani janë vënë nën hetim 11 persona, disa prej të cilëve funksionarë të minierës së Kërrabës, dhe ish-funksionarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës. Policia tha se persona të ardhur nga rrethe të tjera të vendit dhe Tirana, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar pension të pamerituar, duke u paraqitur si ish-punonjës të minierës së Kërrabës, dhe kanë përfituar këtë pension qysh nga viti 2000, duke i sjellë shtetit dëme të konsiderueshme monetare. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, në kuadër të këtij hetimi, kanë sekuestruar, me cilësinë e provës materiale, në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore rreth 200 dosje të personave të ndryshëm, të cilët përfitonin në mënyrë të paligjshme pension të parakohshëm dhe pension pleqërie, përmes dokumenteve të falsifikuara.
Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›