Avokatët e Tufës bojkotojnë procesin
26/01/2005 TIRANË – Gjykata ka vendosur që përfundimisht të mos i presë më avokatët mbrojtës të të pandehurit Lavdërim Tufa. U bënë tri seanca radhazi, që avokatët nuk paraqiten në gjyq, edhe pse janë lajmëruar rregullisht nga trupi gjykues. Dje për gjykatën dhe organin e Prokurorisë durimi u sos. Prokurori Olsian Çela i kërkoi gjykatës të shtyj procesin për një datë tjetër dhe, njëkohësisht të zëvendësojë avokatin mbrojtës. Sipas prokurorit, procesi nuk mund të vazhdojë pambarimisht në pritje të avokatit. Ndërkohë vetë i pandehuri u shpreh se ka marrë takim që të premten e javës së kaluar me avokatin dhe është njoftuar se do të jenë pjesëmarrës në gjyq. Përfundimisht, gjykata u shpreh me vendim për pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurin Lavdërim Tufa, deri në seancën e radhës, që do të zhvillohet në 3 shkurt dhe zëvendësimin e avokatëve mbrojtës, në rast se ditën e seancës Ferdinand Doja dhe Klojda Dashi, nuk do të paraqiten. Lavdërim Tufa është i vetmi që deri tani ndodhet në bankën e të akuzuarve për vrasjen e ndodhur më 29 mars 2003, te "Kartodromi", pronar i të cilit ka qenë Fatmir Rama, ose i thirrur ndryshe Miri i Xhikes. Nga të gjitha provat e grumbulluara para gjykatës, Lavdërim Tufa cilësohet autori i mundshëm i vrasjes. Autori i vrasjes ka qenë i maskuar me një kapuç. Megjithatë nga akti i ekspertimit ka rezultuar se, autori atë ditë është plagosur. Këtë e vërteton gjaku i gjetur në karikatorin e armës së krimit si dhe njollat e gjakut të përziera me pështymë, të gjetura në kapuçin e përdorur si maskë. Arsyet që mund të kenë çuar në këtë vrasje janë dy. Ose vrasje e kryer me pagesë, ose konflikti i pronave. Vrasja e Fatmir Ramës bëri bujë të madhe. Bashkë me Ramën atë ditë gjeti vdekjen edhe shtetasi Kristaq Cani dhe u plagosën dy të tjerë. Mendohet se autori i vrasjes është plagosur nga të shtënat e pistoletës së Ylli Kelmendit, shokut të ngushtë të Mirit të Xhikes.