Gjykata, ekspert ligjor për sëmundjen e trafikantit
26/01/2005 TIRANË – Gjykata caktoi dje detyrat dy ekspertëve, Asqeri Dani dhe Arben Lloja, për të përcaktuar shkallën e sëmundjes që pretendohet se është shfaqur tek i pandehuri Stefan Sula. A është i sëmurë i pandehuri, çfarë sëmundje ka, shkalla e sëmundjes nëse ka dhe a mund të kurohet në kushtet e Spitalit të Burgut, nëse është i sëmurë. Për të dhënë përgjigje në lidhje me këto pyetje, dy ekspertët kërkuan dy javë kohë. I pandehuri, sipas avokatëve mbrojtës, vuan nga turbekulozi, një sëmundje e pashërueshme. Por dje avokatët janë shprehur se, turbekulozi tek i pandehuri nuk është në shenja të theksuara, por është pozitiv. Megjithatë, avokatët thanë se në kushtet e burgut sëmundja mund të kthehet në kancer, kështu që i pandehuri, sipas tyre, duhet të mbahet në ambient të hapur dhe të ushqehet në mënyrë të rregullt. Në mesin e muajit tetor 2004, Sula u vu në pranga me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Por nuk kaloi shumë kohë dhe gjendja e tij shëndetësore u paraqit e rëndë nga avokati mbrojtës. Vladimir Meçe solli dje para gjyqtares Flora Hajredinaj një raport mjekësor, me anë të të cilit pretendon se klienti që mbron, Stefan Sula, është i sëmurë me turbekuloz. Me raportin e paraqitur, avokati kërkon të ndryshojë masën e sigurimit për të pandehurin, nga ajo e burgut pa afat në një masë më të butë. Stefan Sula njihet edhe si pronar i një skaneri të vendosur në qytetin e Fierit. Skaneri, sipas prokurorit Etjen Kapo, është sekuestruar, pasi mendohet se është blerë me paratë e fituara nga shfrytëzimi i kunatës. Vajza e trafikuar njihet me emrin Elizabeta Shpati. Procedimi penal për dy vëllezërit, Stefan dhe Meritan Sula, akuzuar si trafikant, u regjistrua më 16 shkurt 2004.