E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulmak, makina në humnerë, 1 i vdekur dhe 6 të plagosur

Udhëtonin enkas nga Lushnja për në vendin e shenjtë në malin e Tomorrit, Kulmak, por gjithçka është kthyer në një tragjedi kur automjeti i tyre ka dalë nga rruga, duke rrëshqitur disa metra poshtë në humnerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme, pikërisht në afërsi të fshatit Gjerbs të Skraparit, kur automjeti me targa LU 5787 B në të cilin udhëtonin shtatë persona ka dalë jashtë kontrollit. Për pasojë, e vdekur në vend ka mbetur 15-vjeçarja Frida Koxhaj, ndërkohë që gjashtë udhëtarët e tjerë kanë mbetur të plagosur. Madje, njëri prej tyre, 13-vjeçari Melin Pepa është transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës me helikopter. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, si dhe bashkë me makinat e autoambulancës ka transportuar të plagosurit për në spitalin e Çorovodës. Këtu mësohet se janë dërguar Agim Saliasi, drejtuesi i mjetit, Tefta Saliasi, Klevis Saliasi, Xhorxhia Saliasi, Marjeta Koxhaj, Ana Koxhaj dhe Qemal Koxhaj, të cilët pas ndërhyrjes së specializuar të mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sakaq, burime nga policia e Beratit bëjnë me dije se grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë, ndërsa kanë nisur hetimet për drejtuesin e mjetit, Agim Saliasin. Policia tha se shtatë personat e përfshirë në aksident ishin nga fshati Kosovë e Lushnjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›