Krujë-Tapizë, dy të plagosur rëndë
Një aksident hekurudhor ka shkaktuar plagosjen e drejtuesit të një automjeti që tentonte të kalonte mbi shinat e trenit. Treni i pasagjerëve i linjës hekurudhore Shkodër-Tiranë ka përplasur një automjet tip “Benz” me targa të Krujës, duke e marrë përpara për më shumë se 30 m. Aksidenti ka ndodhur pasditen e djeshme në afërsi të fshatit Bubq të rrethit të Krujës, kur autovetura që drejtohej nga Qemal Ajazi, rreth 48 vjeç, banor i fshatit Bubq ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar mbi shinat e trenit. Burime nga policia bëjnë të ditur se shkaku i aksidentit ka qenë pavëmendja e drejtuesit të mjetit ndaj ndërprerjes së hekurudhës. Për pasojë, 48-vjeçari është plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Ndërkohë, një tjetër aksident automobilistik ka ndodhur dje në rrugën nacionale Tiranë-Fushë-Krujë, në afërsi të fshatit Tapizë. Dy autovetura që udhëtonin në kahe të kundërta janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar dy të plagosur rëndë, të cilët u dërguan drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Njëra autoveturë ishte me dasmorë që vinin nga festa. Policia bën të ditur se shkak i këtij aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e të dyja mjeteve.