E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, minorenia, shtatzënë me 73-vjeçarin

Do të duhej pritja e një shtatzënie të padëshiruar për të nxjerrë në dritë gjithë skandalin, kur protagonistja minorene u ka treguar prindërve se abuzohej seksualisht nga një 73-vjeçar. Ngjarja e pazakontë ka tronditur qytetin e Lushnjes, kur sipas deklarimeve të vajzës, emri i së cilës nuk bëhet i ditur për shkak të moshës së mitur, rreth katër muaj më parë Ramiz Hoxha e ka gënjyer shpeshherë duke e marrë në shtëpinë e tij dhe aty kryente me të marrëdhënie seksuale. Për pasojë, analizat gjinekologjike të vajzës kanë rezultuar dy ditë më parë se 13-vjeçarja ishte katër muajsh shtatzënë, kohë kjo që koençidonte me pohimet e saj. Megjithatë, veç kësaj, vajza ka treguar edhe marrëdhëniet seksuale që sipas saj, ka pasur edhe me nipin 14-vjeçar të Hoxhës. Në këtë situatë, policia e Lushnjes pas hetimeve paraprake ka vënë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, 73-vjeçarin Ramiz Hoxha, ndërsa ka shpallur në kërkim nipin e tij. Ndërkaq, burime nga policia lokale janë shprehur se edhe ndaj minorenes në fjalë ka dyshime se vuan nga çrregullime mendore, për këtë arsye çështja po hetohet me imtësi.

Denoncimi

Një i moshuar nga Lushnja dyshohet se kryente marrëdhënie seksuale me një të mitur për më shumë se katër muaj derisa vajza ka mbetur shtatzënë. Menjëherë pasi familjarët kanë zbuluar skandalin që po u ndodhte me vajzën e tyre, kanë shkuar në polici ku dhe kanë bërë denoncimin. Policia e Lushnjes ka mundur dje të vërë në pranga 73-vjeçarin Ramiz Hoxha, i cili kryente marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare.

Ngjarja ka rënë në veshët e prindërve të vajzës vetëm dy ditë më parë, të cilët nuk kanë vonuar t’i drejtohen policisë. Sipas të dhënave të para, i moshuari Ramiz Hoxha kishte 4 muaj që kryente marrëdhënie seksuale me të miturën në banesën e tij. Vetëm dje vogëlushja kishte guxuar t’i tregonte familjes së saj e cila ka bërë dhe denoncimin në polici. Njëkohësisht, sipas policisë, thuhet se mbi të miturën ka kryer marrëdhënie seksuale edhe 14-vjeçari nipi i Hoxhës, i cili aktualisht kërkohet dhe hetohet nga policia. Po kështu, babai i vajzës kërkon ndihmë nga drejtësia si për rastin abuziv mbi vajzën e tij, por edhe mbi ngjarje të tjera të së njëjtës natyrë. Sipas familjarëve, thuhet se ata kanë mësuar rreth ngjarjes vetëm dy ditë më parë pasi 13-vjeçarja ka pasur dhimbje të forta barku. Nga kjo vlen të përmendim se e mitura vuante nga sëmundje mendore, gjë që mund të ketë qenë arsyeja se si ka përfituar Hoxha ndaj të resë.

Shenjat

Prindërit e vajzës kanë dyshuar se mos ajo kishte dhimbje të apendicitit, por pasi vajza është çuar në spital, mjeku u ka thënë familjarëve se vajza ishte shtatzënë. Sakaq, prindërit e të miturës janë shokuar dhe më pas vajza ka treguar rreth abuzimit që i është bërë. Sipas mjekut të spitalit të Lushnjes, bëhet me dije se vajza ishte 4 muajshe shtatzënë, por pas kësaj mjekët kanë ndërhyrë për ta prishur këtë shtatzëni të padëshiruar dhe më pas vajza u shoqërua për në shtëpinë e saj me shëndet të plotë, ndërsa familjarët e Hoxhës i shmangen ngjarjes duke u shprehur se nuk kanë pasur dijeni rreth ngjarjes që po ndodhte në banesën e tyre. Bashkëshortja e 73-vjeçarit nuk ka thënë asgjë, pasi ajo është e sëmurë dhe nga sëmundja as nuk mund të flasë dhe as të dëgjojë. Nga ana tjetër, i moshuari nuk i ka pranuar gjatë marrjes në pyetje deklarimet e vajzës duke i përgënjeshtruar ato.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›