E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen dy shpërndarës heroine në Durrës dhe në Vlorë

Dy shpërndarës droge kanë rënë në prangat e policisë dje në Durrës dhe në Vlorë. Agjentët e antidrogës së Policisë së Durrësit kanë kapur në flagrancë 27-vjeçarin Orges Pashën, teksa po kryente shpërndarje lëndësh narkotike në një nga lagjet e qytetit. Gjatë kontrollit personal, këtij shtetasi iu gjetën 10 doza heroine, të ndara e përgatitura për shitje, si dhe një qese me një sasi lënde të ngjashme me kanabis sativa. Ndërkaq, nga kontrolli i ushtruar edhe në banesën e tij në lagjen 17, në periferi të qytetit, u gjetën e u bllokuan në cilësinë e provës materiale edhe 66 doza heroine, si dhe shtatë qese me kanabis sativa. Nga peshimi në total i lëndës së bllokuar rezultoi se sasia e substancës së dyshuar si heroinë, ishte 36.3 gramë, ndërsa e kanabisit 17.9 gramë. Ndërsa në Vlorë, policia ka arrestuar dje në mbrëmje shtetasin Aleksandër Kaçaj, 36 vjeç. Arrestimi i tij është bërë për shkak se gjatë kontrollit të ushtruar në banesë i është gjetur një sasi prej 293 gramësh heroinë e ndarë në 65 doza. Pas gjetjes së kësaj sasie droge, policia ka bërë shoqërimin dhe më pas ndalimin e shtetasit Kaçajt. Sipas policisë, e gjithë sasia e drogës ka qenë për t‘u shpërndarë në tregun e brendshëm të qytetit të Vlorës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›