E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në komisariat, "burg pa afat" për policin e dyshuar

Polici i arrestuar nuk pranon se dhunoi të riun nga Vlora. Ardit Hasanbega, ish-agjenti i seksionit të luftës kundër krimit të organizuar në Komisariatin e Policisë së Sarandës, ka dalë dje para togave të zeza dhe i është dhënë masa e sigurisë arrest me burg. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një personi të ndaluar nga policia si i dyshuar për trafik klandestinësh. Ngjarja zë fill në orët e para të 5 nëntorit, kur Aristil Gllucaj dhe Oltion Varfi, janë kapur në autobusin e linjës Sarandë-Qafëbotë, në shoqërim të 5 klandestinëve dhe më pas janë dhunuar në Komisariatin e Policisë. Dhuna u denoncua një javë më parë nga avokati Tartar Bazaj. Më pas, për këtë çështje ka hetuar edhe institucioni i Avokatit të Popullit. Pas prononcimit të Ermir Dobjanit, Prokuroria e Sarandës ka prangosur Ardit Hasanbegën, agjent i seksionit të luftës kundër krimit të organizuar, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike mbi të ndaluarin Gllucaj. Dje, polici ka preferuar të mbrohet vetë në seancë dhe ka kundërshtuar akuzën. Por fakti është se Gllucaj ishte rrahur në komisariat, aq sa humbi ndjenjat në sallën e gjyqit disa ditë më parë. Mësohet se i riu i dhunuar është dërguar dy ditë më parë në Tiranë, për ekzaminime mjekësore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›