E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, merren në pyetje të gjithë anëtarët e KRRT-së

Ndërkohë që hetimet për tragjedinë janë përqendruar te Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Gjirokastrës, nuk ka ende një zgjidhje për 16 familjet e mbetura pa strehë.

Dje, në organin e akuzës janë pyetur në cilësinë e dëshmitarit, anëtarët e këshillit teknik të Bashkisë së Gjirokastrës. Pothuajse të 16 anëtarët e këtij organi janë marrë në pyetje nga oficerët gjyqësorë, për të raportuar rreth mënyrës së trajtimit të dosjes së mbërritur në këtë organ, para se të legjitimohej si leje për ndërtimin e objektit shumëkatësh. Sipas njërit prej anëtarëve të këshillit teknik në Bashkinë e Gjirokastrës, pyetjet e oficerëve gjyqësorë të çështjes kanë qenë të përqendruara në marrjen në konsideratë të propozimeve të bëra nga specialistët për objektin në fjalë, qëndrueshmërinë e truallit shtufor, si dhe mënyrën e kalimit të dosjes drejt KRRT-së. Interesimi i përfaqësuesve të organit të akuzës ka qenë i lartë rreth studimit në terren të piketave ku do të ndërtohej pallati tetëkatësh dhe respektimi i sugjerimeve të specialistëve për paqëndrueshmërinë e truallit. Më herët, në prokurori janë pyetur edhe kryebashkiaku Bime dhe nënkryetari Muço.

Ndërkohë, prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, ka kërkuar dje më tepër angazhim nga strukturat shtetërore për përballimin e situatës dhe gjetjen e mënyrave më të mira për të mbështetur familjet e pastreha. Ksera drejtoi dje mbledhjen e shtabit të emergjencës në prefekturë, ku u diskutua për gjetjen e mënyrave për mbështetjen e gjithfarëllojshme të familjeve të mbetura në qiell të hapur, si dhe mbështetjen financiare. Ndërkohë, Ksera ka përsëritur edhe një herë thirrjen për kontributin që duhet të japin qytetarët gjirokastritë dhe bizneset në adresë të llogarisë bankare të çelur për viktimat e tragjedisë. Deri më tani, mësohet se shuma e grumbulluar në numrin e llogarisë bankare nuk i kalon të 1 milion lekët. Kjo shumë është derdhur nga disa biznese VIP që veprojnë në jug të vendit, por që kontributi i tyre financiar pritej të ishte edhe më i madh. Gjatë dy ditëve të fundit, Kryqi i Kuq i Gjirokastrës ka shpërndarë sasi të ndryshme me ndihma për banorët e dëmtuar nga shtëpitë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›