E Diel, 1 Nëntor 2026

"Çlirohen" shkollat e Libofshës

Ministria e Drejtësisë dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u kthejnë nxënësve të Libofshës oborrin e shkollës së tyre 100-vjeçare. Në 100-vjetorin e saj ishte rrethuar me lopë, kafshë e shpendë, që hanin lulet e kullosnin në oborr të shkollës. Pas denoncimit të kësaj gjendjeje në "Fiks Fare", situata u zgjidh.

Deri dy javë më parë, dy shkollat e Libofshës, shkolla 9-vjeçare "Anastas Laska" dhe shkolla e mesme "Jovan Ndreko", të cilat festuan 100-vjetorin e krijimit të shkollës së parë në zonën e Myzeqesë, e kishin oborrin të zaptuar nga kafshët që kullosnin. Këtë problem e kishin që prej 3 vjetësh, sepse një banor i fshatit u kishte marrë shkollave pjesën më të madhe të oborrit, duke ia rrethuar një pjesë. Për këtë, ai kishte marrë dhe një dokument pronësie pranë zyrës së regjistrimit të pasurive.

Pronari i tokës, jo vetëm që u kishte marrë oborrin, megjithëse me urdhër të Kryeministrit, tre vjet më parë, oborret e shkollave janë të paprekshëm, por fermeri kulloste edhe lopët, delet e patat, pikërisht në oborrin e shkollave, duke dëmtuar kështu të gjitha pemët dhe lulet që ishin mbjellë.

Në kronikën e transmetuar nga "Fiks Fare" të dy drejtorët e shkollave, Marsi Sota dhe Aurora Gjeka, deklaruan se për këtë problem u ishin drejtuar të gjitha institucioneve, duke filluar nga komuna, te Drejtoria Arsimore Rajonale, Prefektura, Ministria e Arsimit dhe Kryeministria. Vetëm kjo e fundit u ka kthyer përgjigje, ku u thoshte që për problemin e tyre do të merreshin masa ligjore dhe ia ngarkonte këtë detyrë prefektit të qarkut. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Libofshës, Nikolla Zaka, deklaroi se askush nuk ua kishte vënë veshin ankesave të komunës. Por, më në fund, zyra qendrore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, vendosi që të ndërhyjë, duke çregjistruar pronarin e ri të tokës së shkollës dhe ia ktheu atë shkollës, të cilës i takonte që prej 100 vjetësh.

Më në fund, banorët dhe nxënësit e Libofshës kanë festuar 100- vjetorin e krijimit të shkollës së parë në zonën e Myzeqesë në oborrin e tyre.

Kërkesa është bërë nga regjistruesi i zyrës së Fierit, Tomor Allkushi dhe mban numrin 13, datë 27 tetor, një ditë pas denoncimit të këtij problemi në emisionin "Fiks Fare".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›