Bandat, atentat në mes të Durrësit
Rivaliteti mes bandave në qytet i merr jetën të riut durrsak në një atentat të tipit mafioz. Qetësia e qytetit bregdetar është prishur keqas pak minuta pas mesditës së djeshme. Sirenat e policisë kanë ushtuar në të gjithë qytetin, duke lajmëruar ngjarjen e rëndë, ndërsa i riu Saimir Balla dërgohej për në spitalin rajonal me plagë të rënda në trup. Ai nuk ka arritur të mbijetojë nga plagët e marra dhe është ndarë nga jeta, sapo ka mbërritur në dyert e urgjencës. Burime nga policia e Qarkut Durrës nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare për motivet e ngjarjes, ndërsa burime nga grupi hetimor bënë të ditur se hetimet janë fokusuar në dy pista, në atë të rivalitetit mes grupeve të të rinjve dhe në një ngjarje të rastit. Vëmendja është fokusuar në pistën e parë, pasi edhe viktima ka pasur në makinën e tij një armë zjarri, të cilën nuk ka mundur ta përdorë ditën e djeshme ndaj atentatorëve të tij. Ngjarja e rëndë, që ka kthyer krimin në qytet, ka ndodhur rreth orës 12.16 të së premtes, pranë një lokali të vogël që ndodhet te Pallati i Kulturës "Aleksandër Moisiu", afër ish-dyqanit të luleve. Balla është qëlluar disa herë me pistoletë në mes të rrugës që ndan Termat Romake nga Rrugica e Kuminit. Viktima është 31-vjeçari Saimir Balla, banor i fshatit Arapaj në Durrës, në kufi me zonën e plazhit dhe atë të Shkozetit. Me të qëlluar me armën e tipit pistoletë mbi subjektin e tyre, autorët e krimit janë futur në rrugicën e Kuminit dhe janë larguar me shpejtësi. Duke qenë në qendër të qytetit dhe shumë afër Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, forcat e policisë së rendit, antikrimit dhe oficerë të policisë gjyqësore kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e para hetimore, ndërsa ka qenë një automjet i policisë që e ka shoqëruar viktimën ende të gjallë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore. Në akset kryesore të Durrësit dhe tek Ura e Dajlanit janë ngritur postblloqe për kapjen e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Dy prej personave të përfshirë në krimin e mesditës kanë arritur të kapërcejnë postblloqet e Policisë së Durrësit, por të tre të dyshuarit si autorë të vrasjes janë vënë në pranga, vetëm disa orë më pas. Dy prej tyre kanë arritur të dalin jashtë territorit të Durrësit dhe janë kapur në Tiranë e Laç, ndërsa adoleshenti i përfshirë në ngjarje është kapur në Durrës. Brenda një kohe të shkurtër, pas vrasjes së Saimir Ballës nga Arapaj, u arrit të identifikohen autorët dhe falë një organizimi të shpejtë të shërbimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me strukturën për hetimin e krimeve të rënda pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë e Komisariatin e Policisë së Laçit u bë e mundur kapja e tre personave të dyshuar për kryerjen e kësaj vrasje. Të ndaluarit janë Orges Dervishi, 25 vjeç nga Shkozeti, lagje periferike e Durrësit, Elis Tefa nga Burreli, i cili u kap në territorin e Laçit, si dhe 17-vjeçari nga Shkozeti, Xhulio M., i cili u kap në Durrës. Kapja e Orges Dervishit u bë e mundur në qytetin e Tiranës nga blutë e këtij qyteti. Elis Tefa është diktuar në territorin e Laçit dhe pas negociatave me policinë laçiane është dorëzuar. Burimet policore sqaruan se si rezultat i përdorimit të metodave speciale të hetimit, u dokumentua me prova ligjore se tre shtetasit e ndaluar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 12.16, në lagjen 11 të qytetit të Durrësit kanë vrarë me armë zjarri të tipit pistoletë model 54 Saimir Ballën, 31 vjeç. Edhe pas ndalimit të autorëve të dyshuar, policia nuk i ka deklaruar zyrtarisht motivet e ngjarjes. Viktima nuk njihej si kontingjent i krimit nga policia durrsake, ndërkohë që fakti se ai lëvizte i armatosur me automjetin e tij ka hedhur hije dyshimi dhe për aktivitetin e tij, si dhe përfshirjen në grupe që kishin rivalë, gjë që i mori dhe jetën dje në mesditë.