Arrestohen dy shqiptarë, vranë një emigrant për pak para
Dy shtetas shqiptarë, emigrantë në Greqi, janë vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se janë autorët e vrasjes së një personi në sy të bashkëshortes së tij, e cila ishte shtatzënë. Dy të rinjtë dyshohet se në mes të muajit maj ishin futur në banesën e një çifti emigrantësh nga Siria, nëpërmjet ballkonit. Njëri nga dy kriminelët, nën kërcënimin e armës ndaloi kryefamiljarin, ndërsa të dytit i ka mjaftuar një thikë për ta detyruar bashkëshorten e tij shtatzënë t’u tregonte ku kishin paratë dhe sendet me vlerë. Në ato momente gruaja pësoi shok dhe atëherë bashkëshorti i saj reagoi duke mos pyetur për armën që ia shtrëngonin në kokë, por grabitësi nuk hezitoi ta qëllojë me një plumb të vetëm duke i marrë jetën. Emigranti fatkeq nga Siria vdiq në spital, ndërsa bashkëshortja e tij, nga tronditja e madhe, lindi para kohe.
Policia bëri të mundur arrestimin e të dy shqiptarëve që ishin ndarë me njëri-tjetrin për të humbur gjurmët, njëri në Halkidha dhe tjetri në Kardhicë. Të njëjtët vrasës, prillin e kaluar kishin hyrë në shtëpinë e një nënkoloneli të Forcave Ajrore në lagjen “Marusi” në Athinë. Pasi kishin lidhur çiftin, ata morën paratë dhe bizhuteritë që gjetën dhe u larguan me makinën e çiftit.
#