Sabbann: Duhet dialog efikas qeveri-vendorë
Mbërrin në Tiranë delegacioni i dytë europian pas vetëm pak ditësh, duke shprehur shqetësimin për rritjen e konfliktit mes pushtetit qendror dhe atij vendor në Shqipëri. Një dërgatë e Asamblesë së Rajoneve të Europës ndodhet prej dy ditësh në Tiranë dhe ka si mision të vëzhgojë marrëdhëniet mes ekzekutivit, bashkive dhe komunave. Zv/presidentja e këtij institucioni, Mishel Sabban, ka zhvilluar takime dje me Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha. Zv/presidentja Sabban, gjatë takimit me Presidentin Topi, ka kërkuar bashkëpunim për rritjen e dialogut mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Ndërsa në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave është botuar një raportim që Kryeministri Berisha ka bërë për decentralizimin e pushtetit vendor. Kryeministri Berisha, gjatë takimit u shpreh se “për qeverinë shqiptare konsolidimi i qeverisjes vendore, decentralizimi, partneriteti dhe zhvillimi i integruar rajonal ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet më të mëdha. Modeli shqiptar i bashkëpunimit rajonal shkon në akord të plotë me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore, si dhe dokumentet e tjera që normojnë demokracinë dhe autonominë lokale”. Gjatë vizitës së saj në Tiranë, zv/presidentja e Asamblesë së Rajoneve të Europës, Mishel Sabban, vuri në dukje ndryshimet pozitive të shënuara në vendin tonë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor.
Takimi me TopinSabban vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të kryetarit të shtetit për sa i përket zhvillimit demokratik dhe konsolidimit të institucioneve shqiptare, duke ruajtur ekuilibrin mes forcave politike dhe duke shërbyer si garant i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Njëkohësisht, zv/presidentja e Asamblesë së Rajoneve të Europës nënvizoi se shfrytëzimi dhe miradministrimi i potencialeve të të gjithë territorit të vendit do të sjellin pashmangshmërisht fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe europiane. Në takimin me Presidentin Topi, delegacioni i Asamblesë së Rajoneve të Europës ishte i shoqëruar nga kryetari i Qarkut të Tiranës dhe i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të vendit, Tasim Mema, si dhe përfaqësues të Komitetit shqiptar të Zhvillimit të Rajoneve. Presidenti Topi bëri një përshkrim të situatës aktuale në vend, të zhvillimeve më të fundit dhe arritjeve në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të pavarësisë së tyre, si dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit efikas dhe dialogut midis pushtetit qendror dhe atij vendor për të realizuar projekte në të mirë të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe përmirësimit të jetës së shtetasve të saj. Kreu i shtetit, duke iu referuar edhe përvojës europiane dhe duke e quajtur vizitën e zonjës Sabban si “një ngjarje shumë të rëndësishme për jetën e institucioneve vendore në Shqipëri”, theksoi se forcimi i bashkëpunimit mes pushtetit qendror e atij vendor, por dhe zbatimi sa më mirë i strategjisë së decentralizimit, do të mundësojnë një koordinim më të mirë të projekteve në qarqet e vendit, si dhe një shërbim më të mirë ndaj interesave të qytetarëve.
Takimi me BerishënSabban e njohu Kryeministrin Berisha me organizimin, aktivitetin edhe prioritetet e Asamblesë së Rajoneve të Europës. Ajo theksoi se asambleja e shikon me mjaft simpati progresin e shpejtë që Shqipëria ka realizuar në adresë të respektimit të identiteteve dhe zhvillimit rajonal. “Së bashku me partnerët shqiptarë, edhe pse në një periudhë të shkurtër, kemi realizuar një seri aktivitetesh, të cilat synonin inkurajimin e zhvillimit të rajoneve shqiptare, si dhe përafrimin e tyre me simotrat europiane”, tha Sabban. Më tej, Kryeministri u shpreh se qeveria po punon për përsosjen e konceptit të zhvillimit dhe riorganizimit të rajoneve. “Qeveria ka krijuar një klimë mjaft favorizuese për zhvillimin rajonal, duke katërfishuar fondet për investime, duke modernizuar infrastrukturën, ka rritur shkallën e decentralizmit të taksave vendore, ka transferuar të gjitha pronat, pyjet e kullotat, ka decentralizuar shërbimet publike në ujë të pijshëm e kanalizime, si dhe u ka mundësuar akses njësive vendore në politikat e kreditimit dhe huamarrjes publike”, tha Berisha.
#