E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: MEICO favorizoi Delijorgjin me çmimin e fishekëve

“Gërdeci”, trupi gjykues dëgjon deklarimin e ish-drejtorit të kabinetit të ministrit

Kompania shtetërore e shitblerjeve të armëve, MEICO, i ka propozuar Ministrisë së Mbrojtjes çmimet e fishekëve që do të demontoheshin më pas në fabrikën famëkeqe të Gërdecit. Një ish- drejtues i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, Elmaz Leci, dëshmoi mbi një korrespondencë që kishte pasur ministria dhe kompania MEICO lidhur me procesin e demontimit të municioneve luftarake. Ish-drejtori i kabinetit të ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Leci, konfirmoi se kompania MEICO i kishte përcjellë ministrisë një shkresë, ku jepte propozimet e saj për procesin e demontimit të municioneve luftarake. Ai tha se ka qenë në dijeni të kësaj memoje, në përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesve të prokurorisë. “Memo ishte përgatitur nga ndërmarrja shtetërore tregtare MEICO”, vijoi dëshmitari.

Ndërkohë, seanca e djeshme gjyqësore ndaj 28 të pandehurve vijoi me pyetjen e dëshmitarit Ylli Bregu, ish-punonjës në zyrën e financës në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili dëshmoi kryesisht rreth praktikës së ndjekur për caktimin e çmimit të municioneve luftarake që do të shkonin për demontim. “Komisionit të ngritur në Ministrinë e Mbrojtjes iu kërkua nga kompania MEICO shitja e municioneve me çmime më të ulëta nga ato të mëparshmet në procese të ngjashme. Por kërkesa nuk u mor parasysh, pasi MEICO nuk kishte bërë shpjegimet e duhura”, pohoi dëshmitari. Prokuroria kërkon që të hedhë dritë mbi praktikat e parregullta apo shkeljet që, sipas saj, janë bërë me këtë çështje. Një seancë më parë, ish-shefi i sektorit të armatimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Sokrat Papadhima, dëshmoi se, për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, nuk ishte marrë mendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Sipas tij, “Shtabi i Përgjithshëm ishte anashkaluar nga Ministria e Mbrojtjes”.
Ndërkohë, zgjedhja e fshatit Gërdec të Tiranës për ngritjen e kësaj fabrike, pretendohet nga prokuroria si një zgjedhje e papërshtatshme, pasi nuk plotësonte kriteret për këto fabrika, për më tepër, në një zonë të populluar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›