Reagimi zyrtar i policisë: FNSH u sulmua
“Shërbime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, në bashkëpunim dhe me ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, më 1 korrik 2010, me kërkesë të Inspektoratit Ndërtimor, kanë qenë të angazhuara në mbështetje të këtij inspektorati gjatë punës për prishjen e objekteve të paligjshme të ndërtuara pas vitit 2007 në Hamallaj, Sukth Durrës. Rreth orës 09:40, një grup prej rreth 200-250 personash, kryesisht banorë të kësaj zone, të organizuar e grumbulluar në mënyrë të paligjshme, me veprimet e tyre kanë penguar, kundërshtuar e goditur shërbimet e policisë në detyrë. Me gjithë negociatat, si dhe thirrjet e kryera nga shërbimet tona për shpërndarje dhe moskryerjen e veprimeve të mëtejshme me qëllim shmangien e incidenteve, ky grup personash duke kundërshtuar me dhunë, ka qëlluar me gurë, sende të tjera të forta e shishe të mbushura me benzinë në drejtim të punonjësve të policisë. Për pasojë kanë marrë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit disa punonjës policie, tre nga të cilët ndodhen nën trajtim mjekësor pranë Spitalit Ushtarak Tiranë. Gjithashtu, si rezultat i këtyre veprimeve janë dëmtuar lehtë edhe disa banorë, pjesëmarrës në këtë grumbullim. Të gjithë shtetasit e arrestuar dhe të ndaluar akuzohen për veprat penale: “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengim i mjeteve të transportit”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”, të parashikuara nga nenet 262, 293, 274, 237 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, thuhet në deklaratën për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Drejtuesi i saj, Aleks Hajdari, tha se institucioni që ai drejton është i vendosur për përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore e mbështetjen e institucioneve të tjera në funksion të zbatimit të ligjit, sa herë do të kërkohet nga ana e tyre: "Në çdo rast, ku persona apo grup personash do të kundërshtojnë strukturat e Policisë së Shtetit në përmbushjen e misionit institucional, apo do të kryejnë veprime aktive në dëm të punonjësve të policisë, do të kryhen veprimet procedurale dhe personat përgjegjës do të vihen para drejtësisë për veprimet e kryera". Aktualisht vazhdon puna për identifikimin dhe shoqërimin e gjithë personave të tjerë të përfshirë si autorë në këtë ngjarje, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë është deklaruar se është identifikuar, me qëllim vënien para përgjegjësisë ligjore të tyre.
#