Arrestohen dy shqiptarë, vrasës me pagesë

Dy shqiptarë janë vënë në pranga mëngjesin e djeshëm në zonën e Kalabrisë në Itali si anëtarë të organizatës kriminale italiane me qendër në Kalabri, “Ndrageta”. Ata akuzohen drejtpërdrejt si vrasës profesionistë të punësuar nga kjo organizatë mafioze.
Si transmeton gazeta Shekulli, media italiane raporton se dy shqiptarët e arrestuar janë Arben Ibrahimi, 28 vjeç, i lindur në Malin e Zi, dhe Vasvi Beluli, 30 vjeç, me origjinë nga Maqedonia, raporton ina.
Sipas prokurorisë italiane, dy shqiptarët rezultojnë të kenë qenë snajperitë edhe gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi. Pikërisht për shkak të së kaluarës së tyre, ata janë punësuar si snajperitë edhe nga mafia kalabreze, e cila i ka paguar ata si vrasës profesionistë.
Hetimi e deritashëm ka gjetur se dy vrasësit kënaqeshin me një mijë euro për të kryer disa nga krimet e tyre. Kundër dy të vrasësve rëndon akuza për veprat penale të vrasjes në tentativë dhe të armëve të paligjshme, me rrethanë rënduese të metodës mafioze.