Prizreni mbështet arsimtarët udhëtarë me 160 mijë euro

Qeveria lokale e Prizrenit, në mbledhjen e saj të fundit, ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Arsimit dhe të Shkencës për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit të mësimdhënësve që punojnë nëpër zonat rurale të komunës.
Në takimin e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, me drejtorët komunalë është marrë konkluzioni për shpalljen e tenderit për transportin e 650 mësimdhënësve udhëtarë, të cilët udhëtojnë në relacione të ndryshme brenda territorit të Komunës së Prizrenit, përkatësisht nga Prizreni për në fshatrat e Komunës dhe anasjelltas, raporton koha.
"Vlera e planifikuar nga buxheti i investimeve kapitale nga kjo drejtori kap shumën prej 160 mijë eurove, e cila do të përfshijë tërë vitin kalendarik 2013", thuhet në njoftimin e OJQ-së "EC Ma Ndryshe", e cila në kuadër të monitorimit të komunës lejohet që të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë komunale./Indeksonline/