Arrestohen dy shtetas për “prodhim e shitje të narkotikëve”
TIRANË - Forcat e Policisë së kryeqytetit arrestuan të premten, me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, shtetasit Enri Metani dhe Ilirjan Mehmeti. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, Metani dhe Mehmeti u kapën në rrugën “Don Bosko”, Tiranë, me një sasi prej 48 tabletash, të dyshuar si lëndë narkotike të llojit ekstazi. Agjentët Antidrogë po hetojnë se për ku ishin destinuar të shiteshin tabletat narkotike. Sipas policisë, dozat shiten në disko dhe pubet e kryeqytetit dhe përdoruesit e saj janë përgjithësisht moshat e reja. Në cilësinë e provës materiale policia u sekuestroi sasinë e lëndës narkotike si dhe dy telefona celularë. Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
Falsifikuan dokumentet e motorëve, ndalohen nga policia
Tiranë – Kishin falsifikuar aktin e shitjes së motorëve të tyre, ndaj dje policia i ka vënë në pranga. Burime të sigurta thanë se specialistët e seksionit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko – Financiar, në kuadër të një operacioni blic të realizuar dje, mundësuan kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të shtetasve Meleq Tafa, 42 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Pezë Helmës dhe Hysen Vadenja, 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Këta shtetas, pas bllokimit të motoçikletës nga punonjësit e Policisë Rrugore, kanë dalë në komision dje, ku kanë paraqitur dokumente të ndryshme dhe të falsifikuara. Pas verifikimit të kryer rezulton se kanë tjetërsuar dokumentin e shitjes dhe një vërtetim njësie me origjinalin e kishte vjedhur nga një notere.
Pranga 20-vjeçares, pronari i lokalit e kapi kur po i vidhte makinën
Tiranë – Vodhi çelësat e makinës së pronarit të barit ku pinte kafe dhe u largua me qëllim vjedhjen e makinës, por është ndaluar nga policia. Burimet policore thanë se dje është bërë arrestimi në flagrancë i Gladiola Limollarit, 20 vjeç, lindur dhe banuese në Tiranë. Arrestimi i saj u bë pasi dje u kap në rrugën “Don Bosko”, në një lokal, ku dyshohet se ka marrë në tavolinën e lokalit çelësat e makinës së pronarit të lokalit, duke i vjedhur më pas mjetin e tij tip “Opel”, me targë TR 9267 L. Më pas është kapur në flagrancë në bodrumin e garazhit, duke tentuar ta vjedhë këtë mjet. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 134 dhe 22 të Kodit Penal.
Kapet 23-vjeçari, ishte dënuar me burg për vjedhje
Tiranë – Kishte vjedhur, madje gjykata e kishte dënuar më burg, por u ishte shmangur prej disa muajsh prangave të policisë. Burimet thanë se uniformat blu kanë vënë dje në pranga një të ri pasi gjykata e kishte dënuar me burg. Sipas burimeve, kapja e shtetasit në kërkim, Besim Karaj, 23 vjeç, banues në Tiranë, u bë nga sektori i Operacioneve Speciale & Kërkimit. I sipërpërmenduri u vu në pranga sepse ndaj tij Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendim të datës 10 tetor 2007, e ka dënuar me 2 muaj burg për veprën penale të “vjedhjes”.
Dërgohet në qeli kambisti, punonte pa licencë
Tiranë – Policia ka vënë në pranga një kambist pasi ushtronte aktivitet të palicencuar. Sipas burimeve nga uniformat blu, dje u krye nga seksioni Kundër Pastrimit të Parave arrestimi në flagrancë i shtetasit Alfred Cenolli, 48 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u kap pasi po ushtronte aktivitet të palicencuar të shkëmbimit të lekut me monedhat e huaja në afërsi të Bankës së Shqipërisë. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “ushtrimit të aktivitetit të palicencuar” në fushën e kambizmit.
8 Mars 2008