Pesë mijë policë do të trajnohen në Shkollën e Policisë
Shkak mungesa e arsimit profesional tek uniformat e terrenit. 300 prej tyre janë duke e ndjekur aktualisht këtë kurs
TIRANË - Pesë mijë punonjës policie të rolit bazë në të gjithë vendin do t’u nënshtrohen kurseve të trajnimit në Shkollën e Policisë në Tiranë. Sipas ekspertëve, po i jepet rëndësi formimit bazë të këtij niveli punonjësish policie, pasi ka mungesë në arsimimin profesional te trupa policore e terrenit.
Trajnimi
Brenda 4 vitesh i gjithë ky kontingjent, i cili llogaritet në 5 mijë veta, do t’u nënshtrohet kurseve të trajnimit. Ky trajnim është ndryshe nga kursi 11-mujor që aplikohet për të rinjtë, të cilët janë të orientuar që të punojnë si pjesë e Patrullave të Përgjithshme. Sipas burimeve, rekrutimi i punonjësve të tjerë të policisë bëhet nga vetë strukturat policore. Kategoritë e përzgjedhura në këtë rast janë ajo pjesë, e cila, edhe pse e angazhuar në polici, nuk ka qenë më parë pjesë e trajnimeve.
Mësohet se aktualisht numri i këtyre punonjësve që po ndjekin këtë kurs është 300 veta, ndërkohë që 200 të tjerë tashmë janë certifikuar. Trajnimi i kësaj kategorie është i nevojshëm, pasi në këtë mënyrë riparohet një defekt i trashëguar në vite.
Në bazë të raportimeve gjatë viteve 2005-2007 janë trajnuar paralelisht edhe 250 elementë të rinj, që tashmë janë pjesë e Patrullës së Përgjithshme.
Sistemi i karrierës
Modeli i ri që po aplikohet që prej tre vitesh është më efikas se modeli i vjetër i shkollimit. Sipas specialistëve, nëpërmjet këtij shkollimi arrihet aftësimi gradual sipas ecurisë në karrierë, sepse është e lidhur gjithnjë me karrierën. Ky lloj sistemi shkollor jep mundësi për zhvillim për ecurinë në karrierë në mënyrë të ndershme dhe të drejtë, sepse përfiton më i miri nëpërmjet vlerësimit, dhe jo siç ka ndodhur deri tani, ku ngritjet në detyrë të drejtuesve të deritanishëm janë bërë jo shumë profesionale. Më i rëndësishëm është fakti se ky lloj shkollimi i jep mundësinë çdo punonjësi police të azhornohet me njohuritë aktuale të kohës. Një rëndësi e madhe i është kushtuar trajnimit për rolet drejtuese, e cila fokusohet më shumë në anën menaxheriale të drejtimit. Është thelbësore që drejtuesi, më shumë se specialist, të kalojë në rol menaxherial, ndërsa në kushtet aktuale një drejtues përveçse duhet të jetë i aftë profesionalisht, duhet të ketë edhe aftësi menaxhuese shumë të mira. Funksionimi i mëparshëm i kësaj shkolle, nuk e ka pasur të zhvilluar teorinë e menaxhimit, ndërsa përzgjedhja e oficerëve dhe e punonjësve të policisë në strukturat drejtuese ka qenë më shumë opinionale, por jo mbi bazë menaxheriale.
8 Mars 2008