E Diel, 1 Nëntor 2026

Berati në zi, përcjell për në banesën e fundit viktimat e Farkës

Dje Berati ka qenë në zi për viktimat e tragjedisë së Farkës. Pesë nga 16 personat që humbën jetën janë nga ky qytet. Edhe koha ka qenë e zymtë dhe reshjet ia behën me rrëmbim teksa familjarët Hysa kanë përcjellë për në banesën e fundit njerëzit e tyre më të dashur. Ndërsa qeveria akordon 8 milionë lekë ndihmë për familjarët e viktimave.
Ceremonia
Rreth orës 10:00 të së premtes tre trupat e pajetë të Pëllumb, Majlinda e Alban Hysës kanë dalë nga banesa e familjes së prindërve në lagjen “Vakëf”, ndërkohë që kortezhit i janë bashkuar miqtë, të afërm dhe qindra qytetarë të këtij qyteti. Mes dhimbjes e lotëve familjarët Hysa i kanë dhënë lamtumirën e fundit tre pjesëtarëve të familjes, të cilët humbën jetën pas festimit të ditëlindjes së djalit të tyre në liqenin e Farkës. Dhimbja ka qenë e madhe për të gjithë dhe për t’ia bërë atë sa më të lehtë familjes, qindra qytetarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, duke iu gjendur pranë në këtë çast më shumë se të vështirë. Ndërkohë që familja Hysa kryente nderimet e fundit për familjarët e saj dhe familja Blano në Berat përcolli për në banesën e fundit dy viktimat, Pranvera e Erjon Blano. Nënë e bir janë përcjellë për në varrezat në dalje të qytetit të Beratit, ndërkohë dhe në këtë ceremoni varrimi kanë marrë pjesë qindra qytetarë.
Ndihma
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani urdhëroi dje akordimin e një fondi prej 8 000 000 lekësh në ndihmë të familjeve të viktimave të mbytura në liqenin e Farkës, Tiranë, më 06.03.2008. Urdhri mbështetet në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 224, datë 06.03.2008 “Për shpallje ditë zie kombëtare”. Dorëzimi i ndihmës prej 500 000 lekësh, që do t’u jepet familjeve për secilën nga viktimat, do të kryhet nga njësitë vendore ku ato banojnë. Konkretisht, Bashkisë Berat i është akorduar shuma 2 500 000 lekë për viktimat: Majlinda Hysa, Pëllumb Hysa, Alban Hysa, Pranvera Nova (Blana) dhe Erjon Blana. Njësisë Bashkiake Nr. 2, Tiranë, i është akorduar shuma prej 4 000 000 lekësh për viktimat: Halil Osmani, Hatixhe Osmani, Aurela Osmani, Elidona Osmani, Alket Osmani, Saikida Osmani, Eis Osmani dhe Rei Osmani. Njësisë Bashkiake Nr. 5, Tiranë i është akorduar shuma prej 1 000 000 lekësh për viktimat: Thëllënxa Spahiu dhe Arlind Spahiu. Komunës Farkë i është akorduar shuma 500 000 lekë për viktimën Afrim Dibra. Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme.

8 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›