Arrestohen dy të kërkuarit, kishin kryer një vrasje 22 vjet më parë
Shefqet Vreto dhe Manushaqe Elezi në vitin 1989 kanë vrarë bashkëshortin e kësaj të fundit pasi viktima kishte mësuar lidhjen e tyre jashtë martesore
Korçë Pranga në Qafë-Thanë çiftit të dashnorëve vrasës. Pas plot 14 vjet në arrati jashtë kufijve të vendit, dy persona që kanë kryer një krim pas një historie dashurie pasionante me njëri-tjetrin, kanë hyrë në Shqipëri, por kanë rënë në “darën” e policisë. Teksa kanë qenë duke hyrë në atdhe, dy shtetasit që ishin në listën e personave të shpallur në kërkim nuk kanë menduar se “surpriza” e prangosjes së tyre të radhës do t’i priste në Qafë-Thanë. Të arrestuarit kanë jetuar plot 14 vjet të qetë në qytetin grek të Selanikut, ndërsa kanë lënë vendin e vuajtjes së dënimit gjatë trazirave të vitit 1997, duke u arratisur si shumë të tjerë nga burgu.
Arrestimi
Policia e Korçës bën të ditur se ka arrestuar mesditën e të hënës shtetasit Shefqet Vreto, 60 vjeç dhe Manushaqe Elezi, 56 vjeçe, të cilët akuzohen dhe janë dënuar nga drejtësia për veprën penale “Vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim” plot 22 vjet më parë. 60-vjeçari Vreto me origjinë nga Devolli dhe Elezi aktualisht 56-vjeçare nga fshati Dragot i Elbasanit, mësohet se kishin një lidhje jashtëmartesore në vitin 1989 dhe për këtë arsye kanë vrarë bashkëshortin e Manushaqes dhe më pas kufomën e kanë djegur në mënyrë që të humbnin gjurmët krimit të tyre monstruoz, që ka bërë shumë bujë gjatë kohës kur është kryer në qytetin e Elbasanit. Policia e juglindjes bën të ditur për gazetën se për krimin e kryer dy bashkëpunëtorët e vrasjes vuanin dënimin me nga 25 vite heqje lirie gjithsecili në burgun e Peqinit, por për shkak të trazirave në vitin 1997 ata kanë mundur të arratisen. Për 14 vite më radhë Shefqet Vreto dhe Manushaqe Elezi kanë mundur të jetojnë jetën e tyre me identitet të rremë në Selanik të Greqisë, ndërsa ishin të shpallur në kërkim jo vetëm në Shqipëri, por dhe nga Interpoli nga ana tjetër. Uniformat blu i kanë prangosur dy të arratisurit gjatë një operacioni policor në Qafë-Thanë gjatë përpjekjes së tyre për të hyrë në Shqipëri nëpërmjet vendit fqinj Maqedoni.
Arratia
Në fillim të dy të dashuruarit, që pas krimit monstruoz kanë vazhduar jetën së bashku në liri të përkohshme, ndonëse kanë kryer 7 vite burg, nuk kanë pranuar të ishin të kërkuarit e policisë. Por pas ndalimit ata me gjithë këmbënguljen e tyre janë tërhequr dhe para provave të policisë kanë pranuar të vërtetën. Tashmë dy të shpallurve në kërkim që kanë masakruar duke e therur dhe më pas e djegur bashkëshortin e 56-vjeçares, do t’iu duhet të vuajnë dënimin e mbetur që është më shumë se 18 vjet burg. Pas arrestimit të të dashurve, që bashkë me pasionin për njëri-tjetrin ndanin dhe një krim monstruoz, janë nisur me urgjencë në drejtim të Elbasanit, ku u janë dorëzuar autoriteteve të policisë në këtë qytet. Të prangosurve e dënuar me vendimin e Gjykatës së Elbasanit, nr.340 të vitit 1990 do t’u duhet të konsumojnë në burg kohën e mbetur të dënimit, që është e konsiderueshme, ndërsa kanë treguar se pavarësisht si kanë shkuar gjërat kanë mundur të realizojnë dëshirën e tyre për të jetuar së bashku, gjë që e kanë bërë në emigracion në Greqi, me një jetë të mbushur me shumë anë të panjohura përveç një identiteti të rremë me të cilin kishin mashtruar dhe policinë e vendit fqinj.
Irena Vreto