E Diel, 1 Nëntor 2026

Banori i dëmtuar: Si i shpëtuam asfiksimit nga zjarri në pallat

Agron Çitozi tregon panikun e përjetuar mbrëmjen e së dielës, kur i gjithë pallati u pushtua nga tymi asfiksues. “Zjarrfikëset shpëtuan një grua që kishte humbur ndjenjat, shkuam në spital për mjekim”

Intervistoi: Habjon Hasani

Tiranë Agron Çitozi është një nga banorët e pallatit që u përfshi nga flakët, mbrëmjen e së dielës. Në këtë intervistë për MAPO-n, Çitozi rrëfen panikun dhe përpjekjet për të shpëtuar familjen, që në momentin e parë kur nisën të ndjenin tymin që kishte mbuluar gjithë pallatin. Së bashku me dy fëmijët dhe bashkëshorten, Çitozi ka zbritur shkallët e pallatit, mes një tymi asfiksues dhe errësirës totale.

Zoti Çitozi, mund të na tregoni se në ç’rrethana u përballët me zjarrin e rënë në pallatin tuaj?

Unë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishim në shtëpi, duke ndjekur programe televizive. Në një moment vërej se në korridor, poshtë derës së jashtme, po futej tym. Dal në ballkon dhe shoh që vinte tym nga jashtë, pasi ballkonin e kemi nga pjesa e pasme e pallatit. Në fillim mendova se ishte kondicioneri ynë që kishte marrë flakë. Në momentin e dytë, kur dola në ballkon mendova se ishte apartamenti i fqinjit poshtë nesh, që kishte marrë flakë. Gjithsesi, menjëherë mora fëmijët dhe gruan për të dalë jashtë, pasi duhej të siguroheshim njëherë ne, pastaj shtëpia. Sapo hapa derën e jashtme, u përballëm me një pamje të tmerrshme. Drita në korridor nuk kishte, ishte errësirë e plotë, por ç’ishte më e keqja, korridori i katit tonë ishte tërësisht asfiksues.

Çfarë bëtë më pas?

Mora dy fëmijët dhe gruan dhe në atë gjendje kemi zbritur shkallët, duke bërtitur për të njoftuar dhe fqinjët e tjerë. Sapo kam zbritur në katin e tetë, kam thyer me duar xhamat e dritares së shkallës dhe kështu kam bërë në çdo kat, ndërsa zbrisnim. Nëse pallati nuk do kishte mes shkallëve të kateve nga një dritare, ne do ishim asfiksuar dhe do kishim humbur jetën. Kemi zbritur dhe në çdo kat kam thyer xhamat, për të mundësuar futjen e oksigjenit. Aty lëndova dhe plagosa duart. Falë veprimeve tona u njoftuan dhe disa familje që jetonin disa kate më poshtë. Më pas kemi dalë jashtë dhe kemi pritur aty derisa erdhën shërbimet publike, që bënë dhe shuarjen e flakëve dhe kontrollin në secilin apartament për të asfiksuarit.

Pati të lënduar që kanë shkuar në spital?

Unë, bashkëshortja dhe dy fëmijët e mi si, dhe dy persona të tjerë, kemi qenë në spital për t’u rehabilituar. Një grua që ishte me ne, u gjet nga forcat zjarrfikëse brenda në shtëpi. Ajo kishte humbur ndjenjat. Unë edhe sot e ndjej veten shumë të rënduar, për shkak të blozës që më ka hyrë në mushkëri.

A ka shkaktuar zjarri dëme në apartamentin tuaj, apo edhe tek fqinjët në pallat?

Përveç nxirjes së mureve dhe disa mobiljeve, për shkak të ziftit që lëshon tymi, nuk ka pasur dëme materiale mirëfilli, pra sende të djegura. Në garazhin e pallatit di që janë djegur dy automjete dhe një motor. Neve nuk u përfshimë nga flakët, por nga tymi. Nga ajo që kuptova unë dhe nga sa më thanë punonjësit e zjarrfikëses, tunelet vertikale të ashensorit dhe të tubave hidraulikë kanë mundësuar ngritjen e tymit në lartësi dhe mbushjen e të gjitha kateve me tym. Kjo na ka rrezikuar, jo flakët në vetvete. Megjithatë, duhet thënë se pas ardhjes së forcave zjarrfikëse dhe forcave speciale, gjendja u normalizua shumë shpejt dhe u jemi mirënjohës për ndërhyrjen e shpejtë dhe efikase që bënë natën e mbrëmshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›