E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për pronat në pyll, vritet 32-vjeçari plagoset një tjetër

Humb jetën 32-vjeçari Nuri Kaca, ndërsa Faslli Hoti ka mbetur i plagosur dhe më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet

PESHKOPI Sherri se të kujt ishin drutë në mal ka sjellë një ngjarje të rëndë. Edhe pse dy protagonistët kishin pasur probleme kohë më parë për këtë çështje, nuk kanë mundur dot që ta mbyllnin në paqe, prandaj ia kanë lënë vendin gjuhës së armëve. Kështu një i vrarë dhe një i plagosur është bilanci i konfliktit mes dy banorëve të fshatit Fushë Lurë në rrethin e Dibrës.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur dje në mesditë, pak kilometra mbi fshat. Policia vendore njoftoi se pas “luftës” me armë zjarri, mbeti i pajetë 32-vjeçari, Nuri Kaca dhe i plagosur rëndë Faslli Hoti, 30 vjeç, që të dy banorë të Lurës. Konflikti mes dy të rinjve ka nisur vite më parë, për çështje pronësie në masivet pyjore, por dje ai ka arritur kulmin, kur palët kanë shtënë me kallashnikov mbi njëri-tjetrin për eliminim fizik. Policia e Dibrës saktësoi se viktima Nuri Kaci ka mbetur i vdekur në vend, pasi mbi trupin e tij kanë rënë tre plumba. Ai ka humbur shumë gjak dhe plumbat i kanë prekur organet jetësore. Ndërkohë, Hoti është plagosur rëndë në bark dhe është transportuar në drejtim të Spitalit Ushtarak me helikopter. Ekspertë të policisë dhe Prokurorisë së rrethit Dibër kanë mbërritur pas disa orësh në vendin e ngjarjes, për shkak të largësisë së madhe dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Është këqyrur trupi i viktimës, është sekuestruar një armë zjarri, kallashnikov, pronë e tij si dhe është ushtruar kontroll në banesën e Hotit. Në mjediset e saj është gjetur një granatë luftarake.

Konflikti

Banorë të fshatit kanë sqaruar policinë se një vit më parë, dy banorët e fshatit malor janë konfliktuar mes tyre për një parcelë pyjesh, pak kilometra mbi fshat. Të dy palët pretendonin pronësinë mbi këtë masiv, ndërkohë që dihet se pyjet janë ende pasuri shtetërore. Drejtues të komunës, pleqësisë së fshatit dhe të afërm të Hotit dhe Kacit, janë përpjekur të pajtojnë dy të rinjtë, mirëpo asnjëri nuk është bindur, madje herë pas here kanë njoftuar njëri-tjetrin se nuk do të toleronin. Tani kur banorë të zonave malore janë ngjitur në mal, për të siguruar lëndë drusore për shitje, për të siguruar mbijetesën, edhe Hoti e Kaci janë ngjitur në malin pranë fshatit dhe kanë nisur të sharrojnë pisha, për t’i kthyer ato në dërrasa. Fillimisht ata i kanë thënë njëri-tjetrit të ndalte punën, por sërisht kanë vazhduar në të tyren. Pas sherrit me fjalë, të dy të rinjtë, tamam si në filma kanë zënë pozicion luftimi dhe kanë nisur betejën me armë. Mendohet që i pari ka qëlluar Kaci, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Hotit, i cili e ka qëlluar tre herë Kacin, duke e lënë të vdekur në vend. Gjetja e një arme ka shtuar dyshimet se në vendin e ngjarjes ka pasur edhe persona të tjerë, ose i plagosuri ka arritur ta fshehë atë në pyll. Policia lokale vazhdon kërkimet për gjetjen e armës tjetër dhe sigurimit të jetës së pjestarëve të familjeve të përfshira në konfliktin e armatosur.

PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›