Konflikti në Kamëz, Prokuroria i nis fletëthirrjen zv.ministrit Peka
Tiranë Konflikti mes komandantit të forcave speciale dhe ish-ministrit në detyrë, Avenir Peka, pritet të çojë këtë të fundit në Prokurori për sqarimin e situatës së krijuar. Prokuroria e Tiranës ka dërguar dje fletë-thirrjen në adresë të Pekës, i cili aktualisht mban detyrën e zv.ministrit të Brendshëm, pas emërimit të ministrit Bujar Nishani. Burime të rezervuara thanë për MAPO-n se pas kallëzimit penal të Shemsi Prençit, në kuadër të verifikimeve që po kryhen, janë të nevojshme edhe shpjegimet e zv.ministrit Avenir Peka. Tashmë prokuroria ka nisur fletëthirrjen në adresë të tij dhe pritet konfirmimi i Pekës për ditën dhe orën kur do të paraqitet për të dhënë shpjegime. Mësohet se deklarimet në prokurori do të jepen brenda kësaj jave, ku zv.ministri pritet të japë versionin e tij për konfliktin me komandantin e forcave speciale, Shemsi Prenci, i cili pretendon se është fyer dhe kanosur nga eprori i tij për ndërhyrjen e forcave speciale në një konflikt në Kamëz. Këto fakte janë paraqitur në kallëzimin me shkrim që Prençi dorëzoi në Prokurori në datën 10 prill. Po atë ditë, pas deklaratës publike të Prençit, edhe ministri në detyrë u përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke depozituar edhe ai një kallëzim penal ndaj vartësit të tij. Prokuroria thotë se, pasi u njoh me dy kallëzimet, është e nevojshme pyetja e të dy personave të përfshirë në konflikt për të sqaruar të vërtetën e kësaj ngjarje, apo qoftë edhe detaje të çështjes. Komandanti i Forcave Lëvizëse Operacionale në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi pretendon se ka marrë një urdhër të paligjshëm nga eprori i tij, të cilin nuk e ka zbatuar. Si përgjigje për refuzimin e zbatimit të urdhrit, Prençi pretendon se është fyer dhe kanosur nga zv.ministri Peka. Për këtë situatë ka vënë në dijeni edhe eprorët e tij direkt, si zv.drejtorin e Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ky i fundit, në një intervistë televizive mohoi të ishte vënë në dijeni për një urdhër të tillë nga vartësi i tij Shemsi Prençi. Megjithatë, komandanti i forcave speciale përshkruan me detaje telefonatat dhe sms-të e shkëmbyera me ministrin në detyrë, të cilat sipas prokurorisë mbeten thjesht në kuadër të pretendimeve, pasi nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar vërtetësinë e tyre. Për të pasur një ide sa më të saktë për situatën e krijuar, që sipas Prençit ka pasur si zanafillë shtypjen e protestës në Kamëz, Prokuroria do të marrë dëshminë e zv.ministrit të Brendshëm, i cili gjithashtu ka ngritur një sërë pretendimesh ndaj vartësit të tij. Në kallëzimin që ka depozituar në Prokurori, Peka pretendon se është fyer nga Prençi, madje e akuzon atë për shpërdorim detyre dhe veprime arbitrare. Të dy kallëzimet janë përfshirë në një dosje të vetme dhe do të hetohen si një çështje deri në zbardhjen e konfliktit, i cili mund të konsiderohet si rasti i parë kur një drejtues i lartë policie dhe ministri i Brendshëm në detyrë përfundojnë në dyert e prokurorisë.
Prençi
Komandanti i Forcave Lëvizëse Operacionale pretendon se ka marrë një urdhër të paligjshëm nga eprori i tij, të cilin nuk e ka zbatuar. Si përgjigje për refuzimin e zbatimit të urdhrit, Prençi pretendon se është fyer dhe kanosur nga zv.ministri Peka.
Peka
Në kallëzimin që ka depozituar në Prokurori, Peka pretendon se është fyer nga Shemsi Prençi, madje e akuzon atë për shpërdorim detyre dhe veprime arbitrare. Të dy kallëzimet janë përfshirë në një dosje të vetme dhe do të hetohen si një çështje.