E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet një 50-vjeçar, dy vjet pas ekzekutimit të të birit në Holandë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 26-04-2011 14:09

Tiranë Vritet një 50-vjeçar në Tiranë, thuajse dy vjet pas ekzekutimit të të birit në Holandë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në rrugën “Naim Frashëri” në Tiranë, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar gjashtë herë në drejtim të 50- vjeçarit Haxhiu, i cili ndodhej në një pikë lotoje, përballë shtëpisë së tij, së bashku me persona të tjerë. Edhe pse ndihma e personave që ndodheshin në lokal ka qenë e menjëhershme, Sulejman Haxhiu nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë menjëherë pas atentatit. Forcat e Komisariatit Nr.2, por edhe ato të Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur menjëherë punën për zbardhjen e krimit dhe identifikimin e autorit ose autorëve të saj. Sipas të dhënave paraprake, rezulton se vetëm pak kohë më parë, Sulejman Haxhiut i kishin vrarë djalin, Artan Haxhiun, i cili prej vitesh jetonte në Holandë. Në atë kohë u fol se vrasja kishte ardhur pas konflikteve të ndodhura në këtë shtet, por deri më sot nuk është arritur të identifikohen autorët e vrasjes të ndodhur në Holandë. Duke u nisur nga këto të dhëna, dyshimet e para të ekspertëve të policisë lidhin vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme me atë të ndodhur në Holandë, rreth 2 vite më parë. Ndërkohë, të gjithë personat e pranishëm në lokalin ku ndodhi vrasja janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku janë duke u marrë në pyetje në lidhje me detajet e ngjarjes si dhe me identitetin e mundshëm të personit që qëlloi mbi 50-vjeçarin Haxhiu. Nga këqyrja e vendngjarjes rezulton se janë gjetur 6 gëzhoja, të cilat mendohet të jenë të një arme pistoletë. Gjithashtu, në pyetje janë marrë dhe pronarët e bizneseve që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes, të cilët janë duke dhënë deklarimet e tyre në ambientet e Policisë.

Banorët e zonës, të pyetur nga MAPO bëjnë të ditur se viktima ka qenë një njeri shumë i qetë dhe se nuk njihej si person me probleme. Sipas tyre, e vetmja arsye për vrasjen e tij mund të ketë lidhje me vrasjen e të birit, të ndodhur rreth 2 vite më parë në Holandë. Nga ana e saj, Policia e Tiranës është duke vazhduar punën për identifikimin e autorit të ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vrasjen e 50- vjeçarit Sulejman Haxhiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›