E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, përgjimet e Delijorgjit, Pinarit e Minxollit në gjykatë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 26-04-2011 14:14

Tiranë Përfaqësuesit e akuzës dorëzuan dje në Gjykatën e Tiranës përgjimet telefonike për tre të akuzuarit kryesorë si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Bisedat që Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli kanë zhvilluar menjëherë pas tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008, tashmë ndodhen në Gjykatën e Tiranës, e cila do ua bëjë ato prezente të pandehurve. Ky ishte shkaku i ndërprerjes së seancës së djeshme gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit, pasi do t’u lihet kohë të pandehurve që janë përgjuar, për të vënë në dispozicion të gjykatës pretendimet e tyre. Procesverbalet e transkripteve të bisedave përfshijnë periudhën kohore menjëherë pas shpërthimit të Gërdecit dhe deri pas burgosjes së të pandehurve. Gjatë kësaj kohe, Gjykata ka urdhëruar përgjimin e të gjitha telefonatave që ata kanë kryer nga burgu, përfshi edhe ato të bëra me telefon celular të paligjshëm. Nga bisedat e përgjuara mes të pandehurve dhe të afërm apo familjarë të tyre, prokuroria pretendon se ka të dhëna që kanë hedhur dritë mbi mënyrën se si funksiononte fabrika e demontimit të predhave në Gërdec. Gjithashtu, nga bisedat e përgjuara prokuroria argumenton se janë siguruar informacione për personat e përfshirë në këtë ndërmarrje, duke patur parasysh situatën e krijuar pas shpërthimit tragjik, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë. Të gjitha transkriptet e përgjimeve telefonike pritet të diskutohen seancën e ardhshme, ku të pandehurit mendohet se do të kundërshtojnë përmbajtjen e bisedave që kanë zhvilluar gjatë kohës që ndodheshin në qeli. Një prej tyre, Dritan Minxolli, i cili ka mbajtur detyrën e drejtorit të fabrikës së Gërdecit, ka shprehur dje pakënaqësi për mënyrën se si gjykata dhe prokuroria janë sjellë me amerikanët që ndodheshin në Gërdec. Sipas tij, të gjithë këta persona, nën komandën e Patrik Henrit kanë ardhur në Shqipëri për të mbikëqyrur nga afër procesin e demontimit të predhave, duke rrëzuar kështu versionin e amerikanit Henri se nuk ishte ai përgjegjës për anën teknike të fabrikës. Për të disatën herë gjatë këtij procesi gjyqësor, Minxolli ka akuzuar palën amerikane si të përfshirë direkt në procesin e demontimit të predhave në Gërdec. “Ky grup burrash me deklarimet e tyre herë ndihmojnë njëri-tjetrin, duke aluduar dhe gënjyer në bllok, e herë tradhtojnë aleancën e tyre”- tha Minxolli në seancën e djeshme. Gjatë deklarimeve të tij para gjykatës, ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit ripërsëriti edhe një herë ndarjen e punëve në këtë biznes, ku Delijorgji ishte financuesi i projektit, ndërsa amerikani Patrik Henri kujdesej për realizimin e demontimit nëpërmjet pajisjeve të sjella enkas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe specialistëve që mbikëqyrnin procesin.

Minxolli: Delijorgji, lidhje me mua dhe Patrik Henrin

“Delijorgji ka patur të bëjë vetëm me mua, në cilësinë e drejtorit të fabrikës dhe me ortakun e tij Patrik Henri. Deklaroj se Patrik Henri është ai që këmbënguli të krijonte kompaninë Albademil dhe se ai asnjëherë gjatë funksionimit të saj nuk ngriti ndonjë shqetësim të protokolluar”- tha Dritan Minxolli në seancën e djeshme, duke hedhur poshtë versionin e zjarreve të vazhdueshme në fabrikë. Sipas tij, nga janari i vitit 2008 deri ditën kur ndodhi shpërthimi, nuk ka pasur asnjë zjarr në ambientet e brendshme të fabrikës, edhe pse dëshmitarët kanë pohuar se ata kanë parë zjarre sporadike që binin herë pas here, të cilët fikeshin me mjete rrethanore. Në dëshminë e tij, Minxolli përmendi për herë të parë edhe emrin e David Howell, i cili ishte special amerikan i ardhur enkas për montimin e pajisjeve të demontimit të predhave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›