Arrestohen dy vëllezërit, vranë xhaxhanë për hakmarrje
Dy vëllezërit Sami dhe Mustafa Feleqi, për të humbur gjurmët kanë marrë pjesë edhe në varrimin e xhaxhait të tyre. Sipas policisë dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi ata dyshonin se xhaxhai ishte autor i vrasjes së vëllait të tyre
FIER Dy ditë pas vrasjes së 66-vjeçarit Hamet Feleqi, banor i fshatit Ngjeqar rrethi Fier, janë arrestuar dy vëllezër të akuzuar për vrasjen e xhaxhait të tyre. Sipas policisë, krimi i rëndë brenda familjes ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi dyshohet se 66-vjeçari të jetë autori i vrasjes së vëllait të tyre, ngjarje kjo e ndodhur tre vjet më parë. Kështu, dy vëllezërit Sami dhe Mustafa Feleqi, përkatësisht 19 dhe 21 vjeç, të dy banorë të fshatit Ngjeqar rrethi Fier, akuzohen për veprën penale të “vrasjes në bashkëpunim”.
Ngjarja
Të dy vëllezërit, rreth orës 19:30 të datës 15 tetor, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë ruajtur xhaxhanë dhe lëvizjet që ai ka kryer, janë vënë në ndjekje të tij. Ata e kanë shoqëruar atë derisa viktima ka mbërritur në vendin e quajtur “Moçalet”, ku shtrihet edhe toka pronë e tij Pasi i kanë zënë pritë, ata e kanë qëlluar me mjete të forta në kokë. Duke përfituar edhe nga errësira dhe largësia e tokës nga qendra e banuar, të dy djemtë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke lënë mes gjakut xhaxhanë e tyre. Më pas djali i viktimës, kushëriri i tyre, i cili është edhe i sëmurë mendor, pasi ka mbyllur tufën e të imtave, pronë e kësaj familjeje, ka pritur të kthehej babai në shtëpi. Vonesa e tij e ka detyruar djalin të dilte e të kërkonte babanë pikërisht te toka pronë e tyre, ku dhe ka gjetur trupin e pajetë. Kur ka parë babanë e mbytur në gjak në errësirën që kishte rënë, ai ka bërtitur dhe thirrjet e tij janë dëgjuar nga disa të afërm. Këta të fundit kanë shkuar në vendngjarje dhe pasi kanë parë situatën kanë lajmëruar policinë e rendit. Forca policie kanë mbërritur ne vendngjarje dhe kanë konstatuar se 66-vjeçari ishte i pajetë. Është thirrur më pas grupi i ekspertimit si dhe mjeku ligjor. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e qytetit, ndërsa i është nënshtruar ekspertimit. Fundi i ekspertimit ka nxjerrë edhe shkakun e vdekjes, goditje me mjete të forta.
Motivi
Ndërkohë, fill pas vrasjes dy vëllezërit kanë shkuar në banesën e tyre. Ndërsa kanë dëgjuar për ngjarjen, ata kanë marrë pjesë fillimisht edhe në mortin e çelur për këtë vdekje. Policia nga ana e saj, që në çastet e para ka shoqëruar për në komisariat dhe marrë në pyetje familjarët e viktimës, përfshi edhe dy nipërit. Gjatë procesit hetimor kanë dalë fakte dhe prova që kanë nxjerrë edhe autorët e dyshuar. Nisur dhe nga vdekja në rrethana të dyshimta e vëllait të tyre Mehmet Feleqi në muajin mars të vitit 2008, policia ka dyshuar se dy të rinjtë kanë vrarë xhaxhanë e tyre. Burime nga policia u shprehën se provat dhe rrethanat e ngjarjes vërtetojnë se dy vëllezërit kanë vrarë xhaxhanë me motiv hakmarrjen për vëllanë e tyre, Mehmetin. Ky i fundit u gjet i vrarë pranë një mulliri bloje drithi në qendër të fshatit, me armë zjarri, i qëlluar në kokë. Sipas bashkëfshatarëve të viktimës, konflikti mes tyre kishte lindur pikërisht për pronësinë e mullirit. Në fakt, që nga muaji mars i vitit 2008, policia ende nuk ka dhënë një version të plotë zyrtar për autorë të ngjarjes. Burimet e kontaktuara kanë pohuar se po punohej për autorin, ndërsa ende nuk pohojnë se vrasja e Mehmet Feleqit mund të jetë kryer nga viktima, 66-vjeçari Hamet Feleqi.