E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Shkozetit, nis prishja e ndërtimeve pa leje

Banorët kanë kundërshtuar prishjen e shtëpive të tyre, duke pretenduar se janë në proces legalizimi

DURRËS Dhjetëra banorë të lagjes 14 në Durrës kanë ngelur pa shtëpi, pasi banesat e tyre të cilat janë në proces legalizimi do të shemben. Vendimi ka ardhur nga Inspektorati i Urbanistikës dhe Ndërtimeve, i cili është detyruar të lirojë sa më parë terrenin nga ku do të kalojnë gjurmët e bay-pasi të Shkozetit. Zgjerimi i unazës së Shkozetit ka bërë që shumë ndërtesa të ngritura anës rrugës të shemben për t’i hapur rrugë këtij investimi. Ndonëse një pjesë e këtyre ndërtimeve kanë qenë në tokë shtetërore, një pjesë tjetër kanë përfituar nga ligji i legalizimit, madje shumë pronarë të këtyre shtëpive kanë paguar edhe detyrimet për legalizimin e tyre. Pavarësisht këtyre, këta janë njoftuar se shtëpitë e tyre do të shemben njëlloj si të tjerat. Banorët ngrenë shqetësimin se nuk kanë një vend për t’u strehuar, madje nuk iu është thënë asnjë gjë nëse do të përfitojnë nga shpronësimi. Ndërtuesit e këtyre ndërtimeve kryesisht shtëpi janë shprehur se i kanë të gjitha dokumentet dhe se ato gjenden në zyrën e ALUIZNI-t. “Banesat tona, të cilat janë bërë objekt për prishje, janë në proces legalizimi. Mbështesim çdo investim publik, por kërkojmë kompensim pasi jemi në qiell të hapur. Gjetja e një strehe të përkohshme dhe dëmshpërblimi përbëjnë detyrim shtetëror. Ne si banorë nuk kemi asnjë lloj mundësie të ngremë një strehë të re”, - shprehet Halit Hoxha. Rruga është zgjatim i segmentit që do të përkojë Shkozetin me parkun industrial që gjendet në veri të qytetit të Durrësit, rreth 7 km larg nga qendra. Pikërisht në këtë segment, vetëm në dy muaj Inspektorati Urbanistik Kombëtar ka shembur disa banesa, të cilat pengonin punimet për zgjerimin e rrugës. Nga 22 banesa që ishin në listën e Inspektoratit për t’u shembur, vetëm 17 prej tyre janë prishur, pasi pronarët e tyre janë dëmshpërblyer. Ndërsa 4-5 familje të cilat nuk ishin dëmshpërblyer nuk kanë lejuar të prishen banesat e tyre pa marrë dëmshpërblimin që u takonte. Madje për të ndërhyrë, Inspektorati i Kombëtar i Urbanistikës ka kërkuar ndihmën e forcave speciale për të shembur banesat, të cilat pengonin punimet për zgjerimin e rrugës dhe si përfundim nuk arritën që të finalizonin aksionin, pasi edhe sot e kësaj dite banesat nuk janë shembur ende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›