E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri në disko, vritet një 24-vjeçar në Korçë, plagosen dy vëllezër

Pas konfliktit në disko, ku u plagosën tre persona, Nikolin Kapurani ka marrë hak ndaj grupit rival. Akuzohet për vrasjen me thikë të Dorjan Kocaqit dhe plagosjen e dy miqve të tij, vëllezërve Beluli

Korçë Një 24-vjeçar është vrarë me thikë në qendër të Korçës, ndërsa dy vëllezër, miq të tij janë plagosur. Dorjan Kocaqi 24 vjeç, ka vdekur rrugës gjatë transportit për në spitalin e qytetit, pas goditjeve me thikë, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim Nikolin Kapuranin. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 13 të qytetit, në afërsi të vendit të quajtur “Trekëndëshi”, ka për autor të saj Kapuranin, i cili është i dyshuar si autori i këtij krimi. Policia lokale bën me dije se Kapurani është konfliktuar me viktimën Kocaqi dhe me dy vëllezërit E. Beluli, 20 vjeç dhe A. Beluli, 23 vjeç, të cilët janë të shtruar në spitalin e Korçës, pasi janë dëmtuar nga i kërkuari. Dyshohet se shkak i kësaj vrasjeje është bërë një konflikt mes dy grupeve të rinjsh, i ndodhur disa ditë më parë në një nga diskot e qytetit, në të cilën mbetën të plagosur tre persona, mes tyre dhe një oficer policie i zyrës së antitrafikut, që ka ndërhyrë për të evituar ngjarjen. Ndërkaq, autori i dyshuar i ngjarjes, i riu 20-vjeçar Kapurani ka qenë në ndjekje penale në gjendje të lirë për ngjarjen e disa ditëve më parë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të hënës, në një nga rrugët kryesore të Korçës me qarkullim të dendur makinash. Autori ka qenë duke udhëtuar me një makinë, në ndjekje të 24-vjeçarit. Burime të policisë bëjnë me dije se ai ka dalë nga mjeti dhe pas disa debateve me të riun, e ka goditur atë me thikë, gjë që e ka bërë dhe ndaj dy të plagosurve të tjerë. Policia e Korçës është vënë në kërkim të autorit, ndërsa në të gjithë qytetin janë ngritur postblloqe të shumta për të prangosur autorin tashmë të identifikuar të këtij krimi. Sipas hetimeve të deritanishme, megjithëse në hetim për konfliktin e disa ditëve më parë, Kapurani nuk e ka lënë me aq përplasjen me grupin rival. Ai ka ndjekur Kocaqin dhe dy vëllezërit Beluli teksa ndodheshin në qendër të Korçës, dhe i ka sulmuar ata. Burime nga spitali i qytetit bëjnë me dije se 24-vjeçari ka mbërritur i vdekur në spital, për shkak të plagëve të marra në trup. Ndërsa dy miqtë e tij të plagosur gjatë konfliktit të ndodhur në vendin e quajtur “Trekëndëshi”, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›