Nis ekspertiza e videos Meta-Prifti, tre ekspertët 7 orë në Prokurori
Tre ekspertët e përzgjedhur nga Gjykata e Lartë i japin fund ngërçit me aparaturat, duke marrë në dorëzim videon Meta-Prifti. Pak ditë pas letrës së dërguar në gjykatë, ku bënin me dije vështirësitë në gjetjen e pajisjeve, ekspertët Ardian Pollo, Ermal Zeqiri dhe Artur Rrahmani janë paraqitur dje në Prokurorinë e Përgjithshme, të gatshëm për të nisur punën. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se ekspertët kanë mundur të sigurojnë të gjitha programet e licencuara, të nevojshme për ekspertizën që pritet të vendosë fatin e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta. “Për orë të tëra, tre ekspertët kanë qenë në Prokurori për të kryer klonimin e të dhënave nga lap-topi i Dritan Priftit”, - i thanë “MAPO”-s burime nga organi qendror i akuzës, të cilët konfirmojnë njëherazi se ka filluar puna për ekspertimin e dytë të saj. Video-përgjimi mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit është marrë në dorëzim në praninë e një përfaqësuesi të Prokurorisë së Përgjithshme dhe njërit prej avokatëve të kreut të LSI-së, Petrit Serjani. Përgjigjja e tre ekspertëve shqiptarë, Ardian Pollo, Ermal Zeqiri dhe Artur Rrahmani mbi autenticitetin e videos është parashikuar të dëgjohet në Gjykatën e Lartë më 24 tetor, megjithatë pritet një shtyrje e seancës edhe për vonesat që kanë hasur ekspertët në gjetjen e aparaturave dhe programeve të licencuara. Përcaktimi i tre ekspertëve shqiptarë për videon Meta-Prifti shkaktoi fillimisht debate nga palët, pasi prokuroria nuk ishte dakord për kontraktimin e tyre. Duke i qëndruar vendimit të parë, organi qendror i akuzës kërkoi sërish një ekspertizë nga amerikani Glen Bart, kërkesë që u rrëzua nga gjykata. Në të njëjtën mënyrë u hodh poshtë edhe pretendimi i avokatëve të Ilir Metës, të cilët kërkuan një ekspert italian për video-përgjimin. Më tej, Prokuroria kërkoi që ekspertëve të mos u vihej në dispozicion ora me të cilën është kryer përgjimi, çka është rrëzuar sërish nga Gjykata e Lartë. Më pas, prokuroria ka ngulmuar se asnjë prej tre ekspertëve të caktuar nga gjykata nuk kishte njohuri të posaçme tekniko-shkencore në këtë fushë dhe për këtë arsye, ata nuk mund të jenë pjesë e grupit që do të ekspertojë videon Meta-Prifti. Pas një konsulte të shkurtër të trupit gjykues, kërkesa e prokurorit për të përjashtuar tre ekspertët u rrëzua. Gjithashtu, gjykata rrëzoi edhe kërkesën për të mos ekspertuar orën e depozituar në Prokurori nga Dritan Prifti, pasi sipas tij, nuk është prova origjinale. Kolegji penal caktoi 18 detyra për ekspertët dhe iu la atyre 1 muaj kohë në dispozicion për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. I pranishëm gjatë kryerjes së akt-ekspertimit do të jetë dhe një përfaqësues i Prokurorisë, i cili mund të jetë dhe prokurori i çështjes, ndërsa vendi ku do të kryhet ekspertiza nuk është përcaktuar ende.