Bllokohet në portin e Durrësit anija me armë, me destinacion Irakun
Anija ishte bllokuar që nga dita e premte, deri në verifikimin e dokumentacionit që vërteton origjinën e armëve si dhe itinerarin që do të përshkruante
DURRËS Në portin e Durrësit, që nga dita e premte ka mbetur e bllokuar një anije me flamur moldav, e cila ishte duke transportuar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh luftarake që kishin si destinacion përfundimtar Irakun. Sipas burimeve nga kapitaneria e portit të Durrësit, anija kishte ndaluar për riparimin e një defekti dhe më pas u urdhërua ndalimi i saj deri në verifikimin e origjinës së armëve si dhe dokumentacionin shoqërues të tyre.
Bllokomi
Anije 4 mijë tonëshe “Pyrami”, e ngarkuar me një sasi të konsiderueshme material ushtarake të llojeve të ndryshme është ndaluar për verifikim në radën e Portit të Durrësit pesë ditë më parë. Sipas verifikimeve të bëra nga pala shqiptare, në bordin e saj janë gjetur armë të lehta dhe të vogla, si dhe artileri të kalibrave të ndryshëm, sisteme për marrje shënjestre sinjale nate dhe largësie. Burime nga kapitaneria e portit të Durrësit bëjnë të ditur se anija me flamur moldav, në bordin e së cilës ndodhet ekuipazh shqiptaro-serb i ardhur nga Mali i Zi, po qëndron në radën e portit të Durrësit që prej së premtes, ku nga ana e policisë kufitare si dhe doganës është verifikuar dokumentacioni i saj.
Në këto kushte, përfaqësuesit e kapitanerisë së portit të Durrësit vendosën ndalimin e anijes dhe më pas kanë nisur verifikimin. Pas verifikimeve disa ditore ka rezultuar se materialet ushtarake janë një prodhim i fabrikës “Cervena Zastava” të qytetit Kragujevac dhe i fabrikës “Jubronike Kruvic” në qytetin e Valiceva në Serbi. Këto municione përmbanin predha 155 mm për obuz të markës “Dora”, si edhe fishekë të dimensionit 7,62 x 39mm.
Itinerari
Sipas kapitanerisë së Durrësit, anija me itinerar Mali i Zi-Kroaci dhe me destinacion Irakun ndaloi në radë për të marrë furnizimi të ndryshme për ekuipazhin, si dhe për të riparuar pajisjen e xhiros së busullës. Pas kryerjes së këtyre procedurave nga ana e kapitenit të anijes është kërkuar largimi i saj, por autoritetet shqiptare nuk e kanë lejuar të largohet deri në verifikimin e plotë të dokumentacionit. Pas kontrollit të imtësishëm të dokumentacionit mbi mallin që dispononte anija “Pyramis” por edhe të itinerarit që kjo e fundit do të ndiqte, ka rezultuar gjithçka e rregullt. Nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është lëshuar akt-largimi për anijen, e cila pritet të largohet gjatë orëve në vijim në destinacionin e planifikuar.