E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshihej në Lushnjë, pranga 36-vjeçares së dënuar për drogë

Enkeleda Topi nga Yzberishti i Tiranës, ishte dënuar me 6 vjet burg për trafikim droge, të mbetur në tentativë. Maskohej me ndryshimin e ngjyrës së flokëve dhe grim të rëndë

Një 36-vjeçare nga Yzberishti i Tiranës, e shpallur në kërkim për trafik droge, është arrestuar në Lushnjë. Përpjekjet e Enkeleda Topit për t’u maskuar përmes ndërrimit të shpeshtë të ngjyrës së flokëve apo grimit në fytyrë kanë marrë fund dje, kur policia lushnjare i ka shtrënguar asaj prangat në duar. Arrestimi është kryer afër shtëpisë ku ajo banonte, në lagjen “Kadri Qystra”. Sipas burimeve zyrtare, prej më shumë se gjashtë ditësh forca të policisë së antikrimit ranë në gjurmët e 36-vjeçares, emri i së cilës ndodhej në regjistrat e personave të shpallur në kërkim prej organeve të drejtësisë shqiptare. Në dosjen e policisë, përveç fotove të saj ishte arkivuar edhe vendimi penal i formës së prerë, i dhënë nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Tiranë. Sipas këtij vendimi, Enkeleda Topi ishte dënuar me 6 vjet burg për konsumim të veprës penale “trafikim të narkotikëve, mbetur në tentativë.” Nga verifikimet e mëpasme u zbulua se ajo qëndronte prej kohësh në një shtëpi, në një nga pallatet në lagjen “Kadri Qystra”, ku i fshihej policisë. Përmes informacioneve operative, policia kishte rënë në gjurmë të saj pikërisht para disa ditësh kur ajo shëtiste në lagje, në disa dyqane. Pas kësaj, disa forca u vunë në ndjekje dhe survejim të saj. Pas krahasimit bërë të fotove të siguruara nga policia u bë i mundur dhe identifikimi i plotë i shtetases Topi. Sipas burimeve policore, ajo përdorte shumë grim për të humbur gjurmët, ndërsa nga ana tjetër ndryshonte gati çdo javë ngjyrën e flokëve të saj. Por edhe këto përpjekje nuk e shpëtuan atë nga prangosja dhe vendosja përballë drejtësisë për veprën penale që ka konsumuar e për të cilën duhet të kryejë dënimin prej 6 vitesh burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›