Arrestohen "gjuetarët" e lopëve
15/03/2005 Nuk janë vetëm “Benz”-at ato që lakmohen nga vjedhësit. Tashmë në fshatrat e Tiranës ka nisur një "gjueti" tjetër, ajo e lopëve. Policia kriminale e Komisariatit nr.4 arrin të vërë në pranga dy grabitës që merren me këtë veprimtari. Burime zyrtare nga Drejtoria e Qarkut shprehen se, Trëndafil Koçi dhe Shefik Sefa akuzohen se merreshin me vjedhjen e lopëve. Mësohet se në bashkëpunim dhe me një shokun e tyre, ata kanë grabitur në Kodër-Bërxull lopën e një fshatari. Si të mos mjaftonte fakti se lanë një familje pa ushqim, ata tentuan të vidhnin dhe një tjetër, në një ahur pak metra më larg. Pas arrestimit, policia arriti të vërtetonte se Koçi dhe Sefa janë autorë të grabitjes së 2 lopëve në fshatin Marqinet, të ndodhura në datat 3 dhe 11 mars të këtij viti. Ndërsa 28-vjeçari Koçi, nga Marikaj, nuk ka precedent të mëparshëm penal, me Sefën ngjet ndryshe. 32-vjeçari nga Kukësi me banim në Vorë, ka qenë dënuar më parë në Greqi për trafik të lëndëve narkotike. Policia ka arritur të identifikojë bashkëpunëtorin tjetër të gjuetarëve të lopëve. Ai është shpallur në kërkim. Grabitësit akuzohen se kanë konsumuar veprën penale të parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit. Materialet në ngarkim të dy të arrestuarve iu kaluan për hetime të mëtejshme organit të akuzës.