E Diel, 1 Nëntor 2026

Venger akuzon Çelsin

15/03/2005  Trajneri i Mançester Junajtid, Arsen Venger, ka mbetur mjaft i shtangur prej sjelljes “arrogante” dhe “naive” të Çelsit, lidhur me takimin e fshehtë të zhvilluar në një hotel të Londrës, për transferimin e mundshëm të Eshli Kol. Kështu, pritet që Kol së bashku me trajnerin e Çelsit Hoze Murinjo, të japin dëshmitë e tyre përpara prokurorëve të Premier Ligës. Sipas një proçedure hetimore të drejtuar nga autoritetet e Premier Ligës, klubi i Çelsit mund të përballet me sanksione të ndryshme, si rezultat i kontaktimit në mënyrë të fshehtë me mbrojtësin e Arsenalit. Por, Venger nuk ka qëndruar aspak duarkryq dhe prandaj ka akuzuar hapur Çelsin për takimin e fshehtë, i cili sipas trajnerit francez ka kapërcyer çdo rregullore të futbollit. “Unë kam mbetur mjaft i shtangur dhe i kam bërë pyetjen vetes se si është e mundur që ky takim ndodhi në një hotel të Londrës, ka komentuar Venger. E përse nuk e realizuan këtë mbledhje në vendin më publik të Londrës, ku gjithësecili do ta kuptonte se çfarë kishte ndoshur në të vërtetë? Më duket sikur Çelsi është një klub superior në krahasim me të tjerët. Ata mendojnë se mund të bëjnë gjithçka mbi kurrizin e të tjerëve. Ky fakt më ka shtangur dhe nuk arrijë ta besojë se si mund të kishte ndodhur një gjë e tillë. I gjithë ky proçes dhe mënyra se si ai ka rrjedhur, mua më ka lënë pa mend”. Kështu, Venger më në fund ka arritur të bindet për realizimin e takimit, por fillimisht nuk e ka patur të lehtë për ta besuar. “Kur kjo histori nxorri krye në fillim, reagimi im i parë ishte tepër mosbesues, sepse më dukej diçka shumë e madhe. Kurrë nuk do ta mendoja që të ndodhte një ngjarje e mbushur me kaq intriga dhe arrogancë nga klubi i Çelsit. Megjithatë unë nuk kam arritur t’i kuptoj arsyet e vërteta që fshihen pas këtij takimi të çuditshëm. Ndoshta ai është realizuar për të na goditur vetë ne. Për një gjë jam i sigurtë. Në profesionin tonë ka disa rregulla, të cilat vlejnë të respektohen. Nuk është ndjekur një lojtar i Real Madridit apo i ndonjë skuadre tjetër në kampionatet e huaja. Ne kemi marrëdhënie të mira dhe në të tilla raste mjafton një telefonatë, ku do të sqarohet gjithçka. Ata nuk mund të kërkojnë një lojtar pa marrë fillimisht pranimin tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›