E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja, 100 mijë lekët, "molla e sherrit"

15/03/2005  Zef Allushi i dyshuar në vrasjet e fisit Haka

Policia zbardh motivet e atentatit të së dielës mbrëma, ku humbi jetën ushtari profesionit Agim Zguri. Vetëm 100 mijë lekë të vjetra borxh kanë mjaftuar që, Zef Allushi të kërkojë vdekjen e Albert Gjokës. Autori i krimit dyshohet të jetë përfshirë në vrasjet e fisit Haka, nga Nikla e Fushë-Krujës.

Motivet

Grupit hetimor nuk i është dashur më tepër se 1 orë për të identifikuar atentatorin. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, shprehen se të plagosurit kanë rrëfyer për policinë se e njihnin vrasësin. Sipas Kujtim dhe Albert Gjokës, personi që ekzekutoi Agim Zguron kishte si shënjestër ata të dy. Ndonëse të lënduar nga plumbat e kallashnikovit të Zef Allushit, at e bir nuk kanë ngurruar të tregojnë gjithë historinë banale që degradoi deri në plumba. Të njëjtat burime thonë se, ai që ka kontaktuar i pari me autorin është Alberti. 27-vjeçari ka thënë se i kishte kërkuar Allushit t’i sillte një makinë zhavorr te shtëpia. "Më duhej të shtroja rrugën e banesës sime. Kur bie shi, ajo mbushet plot me ujë dhe kalimi bëhet shumë i vështirë. Zef Allushi ka një makinë të madhe dhe merret vetëm me transportin e inerteve, ndaj i kërkova ndihmë atij", ka dëshmuar Albert Gjoka për uniformat. Ai ka shtuar se i kërkuari ra dakord me kërkesën e tij, duke i kërkuar si hak pune 100 mijë lekë të vjetra. Pikërisht, kjo shumë parash u bë molla e sherrit. Gjoka nuk mundi t’ia dorëzonte Allushit hakun e punës në ditën e caktuar. Ky fakt e ka irrituar kriminelin, i cili nuk ka ngurruar ta kanosë mëse njëherë. "Agimi e pësoi nga ne. Zefi donte të më vriste mua dhe plumbi kapi rastësisht të ndjerin. Ai do më vriste për 100 mijë lekët e zhavorrit", përfundon dëshminë Albert Gjoka, shtruar në Spitalin Ushtarak.

Hetimet

Si të mos mjaftonte vrasja e Agim Zguros dhe plagosja e Kujtim e Albert Gjokës, i kërkuari akuzohet dhe për ngjarje të tjera. Burimet thonë se ai është një ndër të dyshuarit për ekzekutimet në fisin Haka. "Zef Allushi nuk ka qenë kërkuar për vrasje. Por, për hir të së vërtetës duhet thënë se ai është i dyshuar si i përfshirë në vrasjet e fisit Haka. Ndonëse ka të dhëna që dëshmojnë mbi konfliktet e hapura të të kërkuarit me pinjollët e Hakëve, askush nuk njeh motivet e vërteta të kësaj armiqësie", shprehen burimet. Sakaq, mësohet se me të identifikuar autorin e ngjarjes në Babrru, policia është vënë pa humbur kohë në ndjekje të tij. Duke iu referuar informacioneve, Zef Allushi ishte larguar shumë nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar arrestimit. Kërkimet për kapjen e tij vijojnë ende, por uniformat nuk kanë mundur ta vënë në pranga autorin e vrasjes së ushtarit profesionist. Burime nga Komisariati nr.4 bëjnë të ditur se, dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë pohuar për blutë se, Zef Allushi ka qenë i shoqëruar dhe nga një person tjetër që e priste jashtë lokalit, ku ndodhi ngjarja. Veç kësaj, të lënduar lehtë nga atentati kanë qenë dhe klientë të tjerë të barit të Babrrusë. Por, fatmirësisht, nuk janë shënuar të tjera viktima apo të plagosur rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›