Arrestohen grabitësit e 700 milionëve
Etleva Delia
Shtatë persona pjesë e një grupi grabitësish në Tiranë, të paktën një herë të vetme kanë përfituar 600 mijë euro brenda një nate, edhe pse kjo u ka kushtuar arrestimin dje me akuza vjedhjesh spektakolare. Shuma që duket se përbën një rekord për botën e nëndheshme të krimit shqiptar është vjedhur në banesën e një biznesmeni fare pranë Ministrisë së Drejtësisë. Autorët u arrestuan dje nga policia e Tiranës pas një hetimi disa mujor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nën drejtimin e prokurorëve Besnik Muçi dhe Anton Martini. Operacioni është koduar me emrin “Hijet e Natës”, në pranga janë vënë shtatë persona ndërsa një nga kapot e grupit është shpallur në kërkim. Burime nga policia thanë se anëtarët e këtij grupi vepronin në grabitjen e bizneseve të mëdha në Tiranë dhe Durrës si dhe në gjobë vënie. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, tha se të arrestuarit janë Elton Lika, Sajmir Kuçi, Euklit Habili, Taulant Mataj, Sulejman Bakalli, Dritan Duka dhe Admir Gurri. Kryepolici Vocaj sqaroi se drejtuesit e bandës janë Elton Lika, Taulant Mataj dhe një person tjetër i cili është shpallur në kërkim. Grupi kriminal ka arritur të përfitojë shuma të mëdha parash duke vjedhur me dhunë, kërcënime me armë dhe vjedhje kasafortash duke i prerë me oksigjen. Policia tha se ka dokumentuar disa prej vjedhjeve të kryera nga ky grup përfshi edhe grabitjen e ambasadës Daneze në zonën e ish-bllokut në mesin e muajit tetor 2009. Strukturat e policisë kanë rënë në gjurmë të grabitjeve që dyshohet se janë kryer nga banda që prej vitit 2000.
GRABITJET
Provat e gjetura në të paktën 9 grabitje biznesesh, ku janë zhvatur shuma të mëdha parash, kanë çuar në pranga 7 personat e bandës së grabitësve. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, renditi të gjitha “bëmat” e bandës. Grabitja më e fundit, ku dyshohet se janë të përfshirë shtatë të arrestuarit ka ndodhur në Durrës më 12 dhjetor të këtij viti. Sipas kryepolicit Vocaj, të arrestuarit dyshohet se dy ditë më parë në qytetin e Durrësit, kanë vjedhur me thyerje agjencinë e udhëtimeve “Adriatika”. Gjashtë ditë para kësaj date, më 6 dhjetor 2009, ata kanë tentuar të vjedhin kasafortën në firmën “Skutari” e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës. Në të njëjtën ditë ata kanë vjedhur shumën prej 10 milionë lekësh në ambientet e një firme makinash, në Tiranë. Në muajin nëntor të arrestuarit dyshohet se kanë vjedhur agjencinë e udhëtimeve “Pasha Travel”, e ndodhur në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë, si dhe kasafortën në ambientet e firmës së ndërtimit “Merkaj”, me një sasi parash prej 10 milion lekësh. Në tetor ata dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e kompjuterëve në Ambasadën e Danimarkës, si dhe kasafortës në banesën e biznesmenit Dritan Pashaku. Të arrestuarit dyshohen edhe për grabitjen në muajin prill të kasafortës së biznesmenit Ilirjan Çela, ku kanë marrë një shumë prej 600 mijë euro, ndërsa në mars kanë vjedhur kasafortën me 30 milionë lekë, të agjencisë turistike “ATHS”. Policia ka sekuestruar edhe automjetet me të cilat ata realizonin grabitjet dhe transportonin paratë e vjedhura.
TE ARRESTUAR
1. Elton Xhemal Lika,
26 vjeç, i proceduar më parë për vjedhje
2. Sajmir Mustafa Kuçi,
26 vjeç, i proceduar më parë për vjedhje me armë
3. Sulejman Hamit Bakalli,
26 vjeç, i proceduar më parë për vjedhje me armë
4. Taulant Arif Mataj,
28 vjeç, i proceduar më parë për shpërndarje lëndësh narkotike
5. Euklid Guri Habili,
27 vjeç, i proceduar më parë për vjedhje
6. Dritan Hidër Duka,
28 vjeç, i proceduar më parë për falsifikim dokumentesh
7. Admir Selami Burri,
31 vjeç, i proceduar më parë për vjedhje me armë
Vjedhja e kompjuterëve në Ambasadën daneze
TIRANE - Shtatë personat e arrestuar gjatë operacionit “Hijet e Natës”, janë të dyshuar edhe për vjedhjen e dy lap-topëve dhe disa pullave të vizave në ambasadën danezë. Mëngjesin e datës 23 tetor persona të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e përfaqësisë diplomatike të Danimarkës në Tiranë dhe kanë marrë një lap-top. Kështu është denoncuar ngjarja në policinë e kryeqytetit nga vetë përfaqësuesit e ambasadës, të cilët të nesërmen e kanë mohuar, duke thënë që nuk bëhej fjalë për grabitje, por tentativë grabitje. Përveçse denoncuar vjedhjen në polici, punonjësit e ambasadës danezë, ditën e ngjarjes njoftuan se përkohësisht nuk mund të kryejnë asnjë veprim në ambasadë dhe se godina është mbyllur. Pas sinjalizimit oficerët e policisë nisën hetimet intensive për ngjarjen dhe nga ana tjetër në ngjarja nisi të hetohej paralelisht edhe nga oficerë të Shërbimit Informativ. Në vendin e ngjarjes janë fiksuar disa shenja, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Kriminalistikës. Rezultatet e ekzaminimit kanë çuar edhe në të dyshuarit e parë të kësaj ngjarje, të cilët arritën të arrestohen 2 muaj më pas. Një ditë pas ngjarjes diplomatët danezë hodhën poshtë ngjarjen, duke njoftuar se nuk bëhej fjalë për grabitje por për tentativë.
Grabitja e kasafortës me 600 mijë euro tregtarit
TIRANE - Vjedhja në shtëpinë e biznesmenit Ilirian Çela, kryer nga banda e arrestuar dje, duket se ka qenë një veprim i studiuar prej kohësh, i realizuar nga profesionistë. Këto kanë qenë dyshimet e policisë së Tiranës në muajin prill, kur grabitësit realizuan grabitjen e radhës, në katin e tetë të një pallati në rrugën “Hamit Shijaku”. Policia ka mundur të arrestojë autorët e dyshuar të ngjarjes, si dhe të zbardhë skemën se si është realizuar vjedhja e 600 mijë eurove. Një shifër e saktë parash, që ndodheshin në kasafortën e tregtarit, ende nuk është përcaktuar, pasi gjatë deklarimeve të tij, as vetë biznesmeni nuk ka mundur të tregojë se sa para kishte lënë aty para se të nisej për në Hungari, ku jetonte gruaja dhe 3 fëmijët e tij. Personat që kanë realizuar vjedhjen, kanë hyrë në pallatin e ri, tek rruga “Hamit Shijaku” pranë Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, duke përfituar nga rasti kur dera e hyrjes kryesore ka qenë e hapur. Më pas ata janë ngjitur në katin e tetë, një kat më poshtë banesës së biznesmenit. Sipas policisë veprimet janë realizuar në katin e tetë pasi “puna” e tyre në katin e fundit do të ishte më e vështirë, sepse para se të shkoje tek dera e banesës së Çelës, duhet të kaloje edhe dy dyer të tjera që ishin të mbyllura. Plani ka qenë i studiuar nga hajdutët, të cilët kanë nisur të ndërhyjnë në një apartament të pabanuar në katin e tetë. Ata e kanë prerë derën e blinduar me oksigjen në dy vende, deri sa kanë arritur ta hapin. Më pas kanë kaluar nga ballkoni i apartamentit ku ishin futur, në ballkonin e apartamentit dhe zyrës së biznesmenit që ishin shumë afër tyre, ku kanë marrë paratë në kasafortë.