I prenë gishtat pengut, autorët sot në gjykatë
TIRANE – Pesë persona të arrestuar tri ditë më parë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të një 41-vjeçari të cilit i prenë gishtat për shkak të një borxhi, pritet të dalin sot në gjykatë për masën e sigurisë. Lajmi konfirmohet nga burime të organit të akuzës të cilat thanë se grupi i hetimit ka kërkuar masën “burg pa afat” ndaj pesë personave të arrestuar. Aleksandër Buli, 24 vjeç, Ilir Trini, 35 vjeç, Joan Buli, 26 vjeç, Andi Bulku, 25 vjeç dhe Drini Lato, 26 vjeç, u arrestuan tri ditë më parë nga policia me akuzën e pengmarrës dhe torturës. Ata kanë mbajtur peng për rreth 24 orë pasi i kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme, 41-vjeçarit E.E, me banim në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur për shkak të një borxhi 1 mijë euro që i dëmtuari i kishte marrë njërit prej rrëmbyesve. Sipas policisë 41-vjeçari kishte premtuar të nxirrte një vizë me këtë shumë parash por nuk kishte arritur të mbante premtimin. Personi që ka bërë pagesën ka kërkuar ose vizën ose kthimin e parave por 41-vjeçari nuk është bindur. Pas disa përpjekjeve, personi që ka dhënë shumën ka organizuar rrëmbimin e 41-vjeçarit i cili është keqtrajtuar duke i bërë presion për kthimin e parave. Gjatë keqtrajtimit të dëmtuarit i janë prerë gishtat e dorës pasi nuk pranonte kthimin e shumës. Ngjarja ndodhi pranë Fakultetit Juridik ku u mor peng 41-vjeçari ndërsa policia mori informata dhe vendosi të ndërhyjë duke prangosur autorët. tr.so