Fier, makina në kanal, humb jetën çifti i bashkëshortëve
FIER - Një çift nga qyteti i Vlorës humbi jetën pasditen e djeshme në një aksident rrugor. Liljana dhe Medi Mata përkatësisht 58 dhe 52 vjeçe kanë qenë duke udhëtuar me automjetin e tyre kamionçinë, kur ai ka dalë nga rruga duke rënë përmbys në kanalin anësor. Aksidenti ka ndodhur sipas policisë në segmentin Pishporo-Levan, pikërisht në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”, ku Qarri lidhet me një urë me rrugën nacionale. Burimet policore kanë treguar se ka qenë ora 16.30 minuta kur çifti Mata, nga lagjja “24 maji” në Vlorë po udhëtonte në një rrugë dytësore, e cila nuk i jepte mundësi shpejtësie drejtuesit të mjetit. “Sapo kemi marrë njoftimin ne shkuam në vendin e ngjarjes dhe gjetëm automjetin të përmbysur në kanal”. Dy shtetasit u gjetën pa jetë, ndërsa motra e viktimës ishte në gjendje të rëndë shëndetësore pas plagëve të marra. Duke hetuar paraprakisht mendohet që drejtuesi i mjetit të ketë pasur probleme shëndetësore përpara se të ndodhte aksidenti. Kjo duket e vërtetuar, pasi në atë aks rrugor nuk mund të udhëtohet shpejt për shkak edhe të terrenit të vështirë. Dyshohet se Medi Mataj mund të ketë pësuar një atak kardiak që i ka sjellë humbjen e kontrollit”, ka deklaruar policia në një komunikatë për shtyp. Çifti Mataj mësohet se ishin kthyer nga një drekë në fshatin Bishan, tek shtëpia e së plagosurës, Dallandyshe Isufaj. Të tre ishin nisur më pas për në Vlorë, por ende pa bërë shumë metra ka ndodhur fatkeqësia. Aksi rrugor Pishporo-Levan nuk ka qenë asnjëherë burim rreziku për aksidente. Ky aksident, madje është një ndër të paktët raste që merr jetën e dy shtetasve në këtë segment. Edhe kanali sipas policisë nuk ishte i thellë, por një kanal kullues i tokave të fshatit. m.r