E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e shefit të krimeve, i arrestuari mohon ngjarjen

 

“Burg pa afat” ishte masa e sigurisë që Gjykata e Tiranës vendosi dje për të riun kryeqytetas Shkëlzen Meçollari të akuzuar për thyerje të arrestit të shtëpisë dhe dhunë ndaj shefit të Krimeve të Komisariatit numër katër.Gjyqtarja e gatshme pranoi kërkesën e prokurorit që kishte drejtuar hetimet paraprake, duke vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për të riun, ndërkohë që nën të njëjtën masë ai do të hetohet edhe për akuzën e vjedhjes, nën të cilën ishte liruar më parë nga gjykata me “arrest shtëpie”. Përfaqësuesi i akuzës pohoi dje në gjykatë se i riu, tre ditë më parë, kishte thyer masën e arrestit shtëpiak dhe kishte dalë në lagje, ndërsa për më tepër nuk iu ishte bindur policëve që kishin shkuar ta shoqëronin të prangosur në komisariat. Gjatë tentativës për t’u larguar ai është përplasur me trup me shefin e krimeve të komisariatit, i cili ndodhej në aksion bashkë me vartësit e vet, dhe për pasojë, funksionari i policisë pretendon se ka thyer dorën. Vetë i arrestuari dhe avokati i tij mbrojtës pohuan para gjyqtares së gatshme se dhuna ndaj shefit të krimeve ishte trillim i policisë në përpjekje për të fshehur dhunën që kishin ushtruar ndaj tij, qoftë në momentin e arrestimit dhe më pas në komisariat. Sipas të arrestuarit Meçollari, ai pohoi se kishte dalë nga banesa për të shkuar në marketin e lagjes ku do të blinte një paketë cigaresh. Te fusha pranë Kinostudios, e cila ndodhet ngjitur me pallatin ku banonte, ka hasur një grumbull policësh që i janë drejtuar duke e qëlluar. Në tentativë për t’iu shmangur dhunës së tyre ai ka shtyrë shefin e krimeve, i cili është rrëzuar përtokë. Pas kësaj kanë ndërhyrë të gjithë policët që ndodheshin aty, të cilët e kanë vënë në pranga duke ushtruar dhunë ndaj tij, e cila nuk ka përfunduar as pas dërgimit në qelitë e izolimit të komisariatit. Meçollari pohoi se familjarët e tij duke parë të gjithë skenën kanë njoftuar Avokatin e Popullit, ku një përfaqësues i këtij institucioni e ka takuar atë në qeli ku dhe ka regjistruar dëshminë e tij. Pas kësaj avokati kërkoi lirimin e të arrestuarit Meçollari duke pretenduar se dhuna ndaj shefit të krimeve ishte e pavërtetë. Avokati e argumentoi këtë pretendim më faktin se fizikisht, klienti i tij ishte shumë herë më i vogël se shefi i krimeve.         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›