Arrestohet oficeri i ushtrisë, vodhi me armë kazinonë
Policia: 30-vjeçari Ermal Taka, me detyrë oficer i Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Ushtrinë Shqiptare
Një oficer i Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Ushtrinë Shqiptare u arrestua nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se është autori i vjedhjes me armë të një kazinoje. Në prangat e uniformave blu ra Ermal Taka, 30 vjeç, i cili akuzohet se në mbrëmjen e së martës ka grabitur me armë rreth 2 milionë lekë të vjetra. Pas hetimeve të kryera, specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe të Shkatërrimit të Pronës, arritën të binin në gjurmë të “ushtarakut”, i cili u ndalua ditën e djeshme. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Rreth orës 00:00 të së martës, punonjësit e policisë janë njoftuar për një grabitje të ndodhur në një lokal lojërash fati, i cili ndodhet në “Rrugën e Elbasanit”. Dëshmitarët kanë parë një person të maskuar, i cili i ka drejtuar pistoletën personelit të kazinosë, duke u kërkuar atyre të gjithë shumën e parave që ata zotëronin. Sipas punonjësve të kazinosë, grabitësi ishte futur brenda duke u drejtuar atyre një pistoletë dhe nisi të bërtiste, duke u thënë atyre se nëse nuk do t’i dorëzonin të gjitha paratë, ai do t’i qëllonte. Nën kërcënimin e armës që mbante grabitësi, punonjësit e kazinosë nuk kanë mundur që të bëjnë asgjë tjetër, veç dorëzimit të parave që ata kishin aty. Sipas pronarit të lokalit, shuma e marrë nga 30-vjeçari ishte rreth 200 mijë lekë të reja. Grabitësi kishte përfituar edhe nga orari i vonë dhe nga mungesa e personave në kazino për të realizuar vjedhjen. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka shkuar në vendngjarje. Ka qenë vetë pronari i kazinosë, i cili ka lajmëruar në komisariatin nr 1. U ngrit një grup pune, i cili mori në pyetje dëshmitarët, si edhe kreu këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ata arritën që të gjenin të dhëna të nevojshme, që i çuan drejt autorit të grabitjes dhe pas 24 orësh arritën që ta gjejnë atë dhe ta vënë në pranga. Sipas burimeve zyrtare, ai ishte Ermal Taka, i cili është pjesë e ushtrisë shqiptare. 30-vjeçari ishte me detyrë oficer i Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Gjatë arrestimit, atij iu sekuestrua arma me të cilën kishte kryer vjedhjen, një pistoletë “TT”. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara Gjykatës së Rrethit Tiranë, për të marrë masën e arrestit. Oficeri i ushtrisë akuzohet për konsumimin e veprës penale të “vjedhjes me armë”.