E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shantazh me video klientëve të prostitutave, arrestohet 32-vjeçari



I filmonte nën shoqërinë e prostitutave, u kërkonte para, pasi në të kundërt do postonte videon në familje dhe do t’u shkatërronte jetën

Përveçse ishte drejtuesi i një grupi që merrej me shfrytëzimin e prostitucionit, një 32-vjeçar shqiptar i filmonte klientët nën shoqërinë e vajzave dhe më pas u bënte shantazh atyre. Nga këto, me gjithë fitimin e parë, arrinte që të fitonte edhe një shumë të majme nga klientët e frikësuar. Por “rrengu” i tij është zbuluar nga policia italiane, e cila e ka arrestuar. Sipas karabinierëve italianë, në prangat e uniformave blu ka rënë Edmond Velia, i cili banonte në Sanremo. Ai është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së vendit fqinj. Agjentët e policisë kishin nisur hetimet në lidhje me 32-vjeçarin shqiptar, pas një denoncimi të kryer. Pasi ata kishin mbledhur provat e nevojshme, kryen edhe ndalimin e tij. Ditën e djeshme, ata janë drejtuar për në banesën e tij, ku dhe e kanë vënë në pranga. Gjithashtu, janë shoqëruar në polici edhe vajzat e shfrytëzuara, për të dëshmuar në lidhje me aktivitetin e shqiptarit. Në banesë, karabinierët kanë gjetur edhe disa kompjuterë, brenda të cilëve, dyshohet se janë filmimet e kryera nga shqiptari për të bërë të mundur realizimin e planit të tij, fitimin e shumave të konsiderueshme të eurove nëpërmjet shantazhit. Madje, sipas agjentëve, u gjetën filmime të kryera kohët e fundit, me anë të të cilave, 32-vjeçari kishte menduar të bënte edhe ca para të tjera. Sipas hetuesve italianë, viktimat e shqiptarit ishin përgjithësisht burra të martuar. Pasi ata filmoheshin, rikontaktoheshin sërish dhe u tregoheshin “skenat e nxehta”, që ata kishin kaluar nën shoqërinë e vajzave. Më pas, vinte kërcënimi. Nëse nuk dorëzohej shuma e kërkuar e parave, filmimi do të bëhej publik dhe do t’u shkatërronte atyre jetën. Hetuesit zbuluan transferime të shumave të parave, që vajzat, të cilat ishin “nën kujdesin” e tij, ia kalonin shqiptarit në llogarinë e tij bankare. Sipas policisë italiane, vajzat e shfrytëzuara ishin me orgjinë nga Evropa Lindore. Gjatë kontrollit në banesën e 32-vjeçarit u gjetën disa mijëra euro, të cilat u sekuestruan. Karabinierët pritën ndërsa Velia ishte në banesë dhe më pas, i vunë atij prangat. Shqiptari 32-vjeçar u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë së vendit fqinj. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe të shantazhit. Në ditët në vazhdim pritet të jepet masa e arrestit nga gjykata italiane.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›