Islami: Zgjedhjet, rrezik dështimi
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS ka deklaruar dje se zgjedhjet po vihen në rrezik, si rezultat i veprimeve të qeverisë
"Letra e dërguar nga Ristani në emër të KQZ-së për ODIHR-in, demonstron qartë qëndrimin e njëanshëm dhe partiak"
TIRANË- Kur mbeten edhe më pak se dy muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, ka deklaruar se zgjedhjet e 28 qershorit po rrezikojnë të dështojnë.
Në konferencën e djeshme për shtyp, Islami ka sjellë në vëmendje të opinionit publik dy çështje kryesore, që lidhen së pari me letrën e Kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, që kërkon tërheqjen e shefes së Misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e qershorit, Audrey Glover, dhe së dyti, me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
Letra e Ristanit
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS ka deklaruar se Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka shkelur rëndë Kodin Zgjedhor.
"Më duhet të trajtoj fillimisht çështjen e sjelljes së Kryeministrit Berisha dhe të Kryetarit të KQZ-së, Ristani, ndaj Kryetares së Misionit të OSBE/ODHIR-it, zonjës Glover, por duke mos hequr aspak vëmendjen nga situata shumë pranë dështimit për pajisjen e votuesve me letërnjoftime.
Së pari, ndryshe nga zonja Glover, që pohoi se Shqipëria ka ndryshuar shumë krahasuar me vitin '96, Berisha, me kërkesën për largimin e saj vërtetoi se ai jo vetëm nuk ka ndryshuar aspak, por me mentalitetin e tij të vjetër synon të manipulojë zgjedhjet e 2009-ës, me të njëjtin model që aplikoi në vitin 1996, por me teknika më të sofistikuara, duke kërkuar t'i fshihet monitorimit ndërkombëtar",- tha Islami.
Duke kujtuar faktin se Kryeministri Berisha bëri një gafë politike e diplomatike, sekretari për Zgjedhjet në PS shtoi se Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka shkelur rëndë Kodin Zgjedhor.
"Letra e zotit Ristani është dërguar në kapërcim të kompetencave të KQZ-së dhe në shkelje të vendimeve të tij, pasi vetë KQZ-ja, me vendim ka miratuar akreditimin e zonjës Glover si drejtuese e ekipit të vëzhgimit të KQZ-së.
Letra e dërguar nga Kryetari Ristani në emër të KQZ-së për Misionin e ODIHR, demonstron qartë qëndrimin e njëanshëm dhe partiak të Kryetarit të KQZ-së dhe të një personi tërësisht nen tutelën e Kryetarit të PD-së, Berisha.
Veprimi i tij naiv e infantil dhe, mbi të gjitha i kundërligjshëm, është i dënueshëm",- tha ai, duke shtuar se një veprim i tillë ka cenuar rëndë pavarësinë e funksionalitetin e KQZ-së.
Pajisja me karta
Mungesa e vullnetit të qeverisë dhe veprimet e saj selektive kanë vënë në rrezik pajisjen e votuesve me letërnjoftime. Ky është konkluzioni që nxjerr sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami.
"Standardi i identifikimit të votuesve ka shumë gjasa të shfaqet i cenuar disa javë para fillimit të zgjedhjeve. Shifrat dhe analizat nuk janë premtuese nëse vazhdohet me të njëjtat ritme",- tha ai.
Sipas tij, në shkallë vendi kanë aplikuar deri në datën 8 maj 282.836 votues pa pasaportë, ose 38.8% e shtetasve pa pasaportë.
"Numri total i letërnjoftimeve të tërhequra është 377.103, ose vetëm 44 % e aplikimeve, ndërkohë që Ministria e Brendshme është e paaftë të na informojë se sa është numri i letërnjoftimeve të tërhequra nga votuesit pa pasaportë deri më sot, shifër e cila vlerësohet jo më e lartë se 125 mijë.
Në katër qarqe, Kukës, Dibër, Lezhë dhe Shkodër, gjendja vazhdon të jetë tepër shqetësuese. Qarku i Kukësit mbetet me nivelin më të ulët të aplikimeve, vetëm me 9.5%",- tha Islami. Përpos shifrave aspak pozitive për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, Islami u bëri thirrje qytetarëve për të aplikuar.
Përqindja e aplikimit sipas PS-së
Mat me 29%
Dibër me 26 %
Bulqizë me 17%
Krujë me 19.6%
Gramsh me 26.7 %,
Peqin me 20.7%
Rrethi Përmet me 26.8%
Ersekë me 24.7 %
Kukës me 11 %
Has me 8.6 %
Tropojë me 6.2%
Lezhë me 28.9%,
Mirditë me 24.8%,
Pukë me 24.3%
M. Madhe me 14.2 %
Delvinë me 29.6 %.
Në 50 komuna, numri i aplikimeve të votuesve pa pasaportë është zero;
Në 68 komuna, numri i aplikimeve nuk e kalon shifrën 10;
Në 13 komuna nuk janë hapur ende stacionet e aplikimit.
Sipas MB-së, qëndrimi i PS-së është spekulativ
Reagon MB: Kanë aplikuar 925.000 qytetarë
TIRANË - Ministria e Brendshme hedh poshtë akuzat e socialistëve për ritmin e ulët të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
Në deklaratën zyrtare të kësaj ministrie, thuhet se ritmi i aplikimeve ka ardhur duke u rritur gjatë javëve të fundit dhe deri më datë 4 maj kanë aplikuar për t'u pajisur me dokumentin e ri 925. 000 qytetarë, nga ku 370. 000 prej tyre u përkasin shtetasve që nuk kanë pasaportë.
Ministria e Brendshme pohon se aplikimet në një ditë kanë ardhur duke u rritur, duke shkuar deri në 20. 000 aplikime në ditë. Sipas të dhënave që jep Ministria e Brendshme, deri më datë 14 maj janë tërhequr rreth 420. 000 letërnjoftime elektronike, por akoma kanë mbetur dhe shumë karta të prodhuara që nuk janë tërhequr.
Po sipas këtij dikasteri, në zyrat e njësive vendore në të gjithë vendin janë gati 300.000 mijë karta identiteti, që mund të tërhiqen nga qytetarët në çdo moment.
Ministria bën apel që ata shtetas që kanë aplikuar deri më datë 1 maj, t'i tërheqin sa më shpejt letërnjoftimet, për të mos krijuar dyndje në ditët e fundit, si dhe vështirësi në shërbimin që duhet të kryejnë punonjësit e zyrave të gjendjes civile.
Akoma procesi i aplikimit nuk ka filluar në 15 njësi vendore, që janë të gjitha komuna dhe, sipas deklarimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme, edhe në këto njësi, brenda datës 22 maj, procesi do të fillojë.
Deklaratat e Partisë Socialiste për procesin janë komentuar nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme si spekulime, duke kundërshtuar në këtë mënyrë pretendimet e opozitës për ritmin ulët të aplikimeve nga qytetarët, për t'u pajisur me karta identiteti.