E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen në Tiranë organizatorët e trafikut të 30 klandestinëve në Greqi

 

TIRANE - Operacioni “Verniku” prangos dy trafikantët e klandestinëve në kryeqytet. Përparim Vata 34 vjeç, nga Kukësi me banim në Kamëz, si dhe Pandeli Goga, 54 vjeç nga Lushnja, me banim në Tiranë, janë arrestuar nga antitrafiku i policisë së kryeqytetit. Dy të dyshuarit akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë, në Korçë dhe në Përmet, kanë organizuar dhe kontrabanduar në një periudhë kohore prej dy muajsh, rreth 25-30 persona. Të gjithë klandestinët, sipas burimeve të policisë janë ndaluar nga autoritetet e policisë kufitare në Kapshticë dhe në Përmet, ndërsa kanë qenë duke kaluar kufirin në drejtim të Greqisë. Nga hetimet e oficerëve të policisë kufitare dhe më pas zyrës së Antitrafikut në policinë e kryeqytetit, klandestinët mësohet se kishin paguar nga 500- 700 euro, për t’u larguar në drejtim të Greqisë. Të arrestuarit akuzohen për organizim favorizim të kalimit të paligjshëm të kufirit nga grupe të organizuara njerëzish. Një veprimtari e tillë është provuar të jetë kryer sipas policisë nga të arrestuarit dhe bashkëpunëtorët e tyre në së paku 4 raste. Grupi i fundit i klandestinëve, që personat kanë ndihmuar për të kaluar kufirin, ka qenë i mesit të muajit tetor. Këta persona, sipas burimeve të policisë, kur policia ka kapur në Korçë një grup prej 9 personash. Klandestinët organizoheshin kryesisht në Tiranë, apo në rrethe të tjera të vendit dhe niseshin nga personat me mjetet e tyre dhe herë pas here edhe me fugona të linjave.                     da.bi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›