E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet i kërkuari për trafik droge në Greqi

 

KORÇE - Policia e Korçës prangosi një të shumëkërkuar për trafik droge me Greqinë, ndërsa ishte dënuar me 12 vjet burg. Shpëtim Hoxha, 35 vjeç, nga fshati Sul i Devollit, u arrestua pas një operacioni të organizuar më parë. Policia kishte informacion se i kërkuari lëvizte me armë dhe paraqiste rrezikshmëri. Ndaj blutë llogaritën çdo detaj lëvizjeje deri në paralizimin fizik të tij. Policia e Korçës kishte siguruar informacione në rrugë operative, se i kërkuari ishte kthyer pak ditë më parë nga Greqia. Pas marrjes së informacioneve dhe lokalizimit të vendndodhjes, organizuan prangosjen e tij. Rreth orës 16:00 policia ndërhyri në momentin kur i kërkuari doli nga shtëpia, ku strehohej në një nga rrugicat e Korçës. Veprimi i koordinuar dhe i shpejtë nuk i dha atij mundësinë t’i rezistonte arrestimit. Paralizimi në befasi nuk i dha kohë që të përdorte as armën e zjarrit, një pistoletë me 39 fishekë që iu gjet në trup. Sipas burimeve, ai prej më se një viti ishte shpallur në kërkim, pasi ishte akuzuar dhe më pas dënuar për “prodhim e shitje të narkotikëve”. Mësohet se një vit më parë, Shpëtim Hoxha është zbuluar teksa transportonte drogë të tipit heroinë nga shtigjet malore të rrethit të Devollit. Sipas hetimeve, ai kishte kryer edhe herë tjetër transport droge, por nuk ishte kapur. Herën e fundit para se të futej në tokën helene u diktua. Për të mos rënë në duart e policisë braktisi drogën dhe u largua në thellësi të tokës helene. Policia që ishte vënë në ndjekje të tij gjatë gjithë kohës pasi doli nga fshati Sul, e identifikoi atë dhe organet e drejtësisë e hetuan dhe gjykuan në mungesë me 12 vjet burg.                                  j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›