E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët, padi në dy gjykata prokurorit të “Durrës-Kukës”

 

Trazhgim Sokolaj

Të pandehurit e dosjes “Durrës-Kukës” Armand Teliti dhe Andi Toma dorëzuan dje në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën e Tiranës padinë për prokurorin Arben Kraja. Objekti i ankimit në gjykatë nga ish-zyrtarët e pandehur të Ministrisë të Transporteve është kundërshtimi i vendimit të prokurorit Arben Kraja, për zgjatjen e hetimeve të dosjes “Durrës-Kukës” edhe me një muaj tjetër deri më 6 dhjetor 2008. Lajmi është konfirmuar dje nga mbrojtja ligjore e të pandehurve si dhe nga Gjykata e Tiranës e cila ka hedhur në short padinë e firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti dhe ish-Drejtori i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Transporteve, Andi Toma. Ata iu drejtuan gjykatës një ditë pasi prokurori i çështjes Arben Kraja i thirri në zyrën e tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe u komunikoi se ata do të ishin të pandehur edhe për një muaj tjetër. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se shkak për shtyrjen e hetimeve është bërë nevoja për kryerjen e disa veprimeve teknike në dosjen penale dhe përkthimi i shifrave financiare në kuadër të dispozitës penale për “shpërdorim detyre”, për të cilën akuzohen të pandehurit e kësaj çështje. Ashtu siç kishte paralajmëruar tri ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti tha dje se ai bashkë me ish-kolegun e tij në Ministrinë e Transporteve kanë paditur vendimin e prokurorisë për shtyrjen e afatit të hetimeve. “I jam drejtuar Gjykatës së Tiranës dhe Gjykatës së Lartë, në mënyrë që hetimet të ndërpriten dhe çështja të marrë zgjidhje”, është shprehur dje kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Armand Teliti, njëri nga tre të pandehurit e dosjes “Durrës-Kukës”. Ai tha se prokuroria nuk ka realizuar asnjë akt procedurial dhe po kërkon ta shtyjë një muaj procesin. “Kjo është antiligjore dhe e pandershme. Prokuroria e hapi këtë çështje politikisht dhe po e shtyn afatin e hetimeve drejt periudhës së fushatës elektorale”, është shprehur Armand Teliti, i pandehur nga prokuroria për kohën kur ka qenë zëvendësministër i Transporteve. Bashkë me Telitin, në dosjen “Durrës-Kukës”, është marrë i pandehur edhe Andi Toma dhe Drejtoresha e Rrugëve Lejla Saraçi. Prokuroria e Përgjithshme ndërkohë po heton edhe ish-Ministrin e Transporteve Lulzim Basha, aktualisht Ministër i Jashtëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›