E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zyrtari s‘dëshmon për “terroristin” në gjykatë: Të dhënat janë sekrete

 

TIRANE – Ermir Veipi, ish-zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave dëshmoi dje në procesin gjyqësor ndaj Hamzeh Abu Rayyan. I thirrur nga pala mbrojtëse, si personi që ka firmosur kallëzimin, pas të cilit kanë nisur hetimet për bizneset e sheikut Jasin Al-Kadi në Shqipëri, ai tregoi para gjykatës rrethanat e këtij veprimi. Pasi ka bërë betimin se do të tregonte të vërtetën, Veipi ka vijuar të thotë se ishin shumë gjëra për të cilat ai nuk mund të fliste, për shkak se të dhënat konsiderohen ende sekret. Duke mbajtur një Kod të Procedurës penale në dorë, ai është shprehur se “Kallëzimin e kam firmosur në vitin 2006. Çdo gjë është e sqaruar qartë aty. Në kohën që ai është depozituar në prokurori, nga institucioni ku unë punoja është cilësuar si ‘material i klasifikuar’(sekret) dhe unë nuk mund të prononcohem”. Argumentimi i gjykatës se kallëzimi nuk ishte informacion sekret nuk e ka bindur dëshmitarin. “Nuk dua që ato që unë sot do të them këtu të përdoren kundër meje diku tjetër. Kur jam larguar nga institucioni ku punoja kam firmosur, se nuk do të prononcohesha askund për materialet e klasifikuara me të cilat isha njohur”, ka thënë Veipi, duke cituar herë pas here nenet e Kodit për “informacionet e klasifikuara”. Sipas dëshmisë së tij, në kohën kur është bërë kallëzimi, kompania “Loxhall” e cila ndodhet në “listën e zezë” të OKB-së si financuese e terrorizmit, ushtronte aktivitet edhe pse ishte një shoqëri e bllokuar më parë nga Ministria e Financave. “Shoqëria ‘Loxhall’ ishte e bllokuar nga një urdhër i Ministrisë së Financave, ndërsa Drejtorisë tonë i rezultonte se ajo vazhdonte të ushtronte aktivitet”, u shpreh Veipi. Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë për Krimet e Rënda në vitin 2006, atëherë kur Veipi ishte në funksionin e zv.Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e parandalimit të pastrimit të parave në Ministrinë e Financave, akuzonte administratorin e bizneseve të Al Kadi në Shqipëri Hamzeh Abu Rayyan për pastrim parash dhe financim të terrorizmit. Aktualisht në Gjykatën për Krimet e Rënda po zhvillohet procesi gjyqësor në ngarkim të tij për akuzën e “fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilëve zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit”. Sipas prokurorisë, Rayyan në funksionin e administratorit të jordanezit Jasin Kadi, i shënuar nga OKB dhe SHBA si financues i terrorizmit, ka vjelë qira të objekteve të shoqërisë edhe pse ato ishin të bllokuara. Në këtë mënyrë, po sipas organit të akuzës, administratori Abu Rayyan paratë e kontratave të qirave të këtyre objekteve i ka transferuar në llogaritë bankare, deri tani të paidentifikuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›