E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet gjyqi, “rebelohen” tre dëshmitarët e Bandës së Lushnjës

 

TIRANE – Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të anëtarëve të “Bandës së Lushnjës” nuk u zhvillua për shkak të mungesës së avokatëve. Shtyrja e seancës ka shkaktuar reagimin e tre dëshmitarëve, të cilët ishin paraqitur në gjykatë për herë të gjashtë por që nuk arritën të dëshmojnë pasi seanca dështoi. Asnjë prej të pandehurve nuk ka qenë i pranishëm në sallë, por të pakënaqurit për vendimin e shtyrjes kanë qenë tre dëshmitarë, banorë të Lushnjës. Të ndodhur përballë faktit që iu duhet të vijnë sërish në seancën e ardhshme për të dëshmuar, ata nuk kanë ngurruar edhe të flasin me ton të lartë ndaj trupës gjykuese. “Është hera e gjashtë që vijmë këtu. Herën tjetër, hajdeni na merrni nëse doni”, tha njëri prej tyre. Ndërsa në seancën e djeshme njëri prej mbrojtësve ligjorë të të pandehurve kërkoi veçimin e çështjes për të pandehurit Arjan Aliço dhe Jorgo Muzaka. “Zvarritja e këtij procesi ka ardhur vetëm nga mungesat e herëpashershme të mbrojtësve të këtyre të pandehurve, prandaj kërkojmë që ata të veçohen nga çështja”, pretenduan mbrojtësit. Pesëshja gjykuese e cilësoi të pabazuar në ligj kërkesën dhe e rrëzoi atë. Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina akuzohen nga prokuroria për “vrasje me paramendim, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe krijim të organizatës kriminale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›