E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, hetim gjyqtarëve që liruan mjekët

 

Trazhgim Sokolaj

Këshilli i Lartë i Drejtësisë fillon “hetimin” ndaj gjyqtarëve që liruan tre kirurgët e arrestuar me akuzën e korrupsionit. Burime zyrtare nga Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, konfirmuan se ky institucion po verifikon vendimet e gjyqtarëve për të parë sa të bazuara në ligj dhe në prova kanë qenë ato. “Inspektorët e KLD-së do të verifikojnë tri rastet, për shkak se në dy prej tyre, e njëjta gjykatë që fillimisht ka firmosur mbajtjen e mjekëve në burg më pas ka dhënë vendim tjetër për t’i lënë në arrest shtëpie”, thanë burimet zyrtare nga Këshilli. Sipas tyre, kur gjykatat japin vendime të ndryshme për të njëjtën çështje, atëherë ky është një rast i dyshimtë që duhet verifikuar pasi njëri nga vendimet ka qenë i padrejtë. Ndërkaq, Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës do të apelojë lirimin e kirurgut të spitalit Onkologjik, Agim Karaj, i cili u arrestua pak ditë më parë me akuzën e marrjes së ryshfetit. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se Prokuroria është në pritje për të marrë një kopje të vendimin të gjykatës dhe pasi të njihet me argumentimin e tij, do të ankohet në Gjykatën e Apelit, ku do të kërkojë rikthimin në burg të kirurgut Agim Karaj. Duke qenë se afati ligjor për zbardhjen e vendimeve nga gjykatat është vetëm pesë ditë, Prokuroria pritet që ta apelojë lirimin e kirurgut të Onkologjikut në fillim të javës së ardhshme. “I njëjti qëndrim - tha prokuroria - do të mbahet edhe ndaj vendimit të gjykatës për lirimin nga “arresti me burg” të mjekut Ardian Nelaj, edhe ai i akuzuar për korrupsion”. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, në të dy rastet gjykata kishte vendosur “arrest me burg” në mungesë ndaj mjekëve para se ata të binin në prangat e policisë. Por pas arrestimit të mjekëve, në seancat gjyqësore ku sipas praktikës ligjore atyre do t’u komunikohej masa e sigurisë e vendosur më parë, gjyqtarët kanë ndryshuar vendimet e tyre, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Prokuroria nuk ka dashur të bëjë komente mbi vendimet e gjykatave, për të cilat tha se do t’i paraqesë për ankim në Gjykatën e Apelit sapo të njihet me kopjet dhe argumentimin e tyre. Sipas organit të akuzës, në të dy rastet ishte provuar me dëshmitarë dhe filmime, marrja e ryshfetit nga mjekët, ndërsa asnjëri prej tyre nuk ishte në moshë të tillë, që mbajtja në burg t’i shkaktonte probleme shëndetësore. Në këtë mënyrë, organi i akuzës nuk shikon ndonjë argument ligjor për lirimin e mjekëve të arrestuar. Sipas të dhënave zyrtare, gjyqtari që ka marrë vendimin për caktimin e masës së sigurisë, në rastin e mjekut të spitalit të burgjeve Ardian Nelaj, ka qenë Martin Deda ndërsa në rastin e kirurgut Agim Karaj, ka qenë gjyqtarja Marjana Dedi. Precedentët e dy mjekëve që u liruan së fundi, duke qëndruar vetëm pak ditë në qeli, edhe pse të arrestuar për korrupsion në mënyrë të bujshme, nuk janë të fundit. Disa muaj më parë, gjykatat liruan Kastriot Dautajn, një tjetër mjek kirurg i cili u arrestua në korrik me akuzën e korrupsionit. Në këtë rast, argumenti i gjykatave për lirimin e të akuzuarit ishte se i pandehuri ndodhej në një moshë të tillë që mbajtja në burg mund t’i shkaktonte probleme shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›