E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen, po i vidhnin çantën një qytetareje

Tiranë - Rinor Prengësi 18 vjeç dhe bashkëmoshatari i tij, Junik Ismailaj, kanë rënë dje në prangat e policisë të Komisariatit Nr. 2 në kryeqytet. Sipas njoftimit për shtyp të policisë, dy të rinjtë nga Tirana janë arrestuar në flagrancë, rreth orës 00.30, të ditës së djeshme, nga shërbimi i Patrullës së Përgjithshme, duke vjedhur me dhunë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën
“Abdyl Frashëri”, çantën e një shtetaseje. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprën penale “vjedhje me dhunë në bashkëpunim”.

Aksidenton dhe ikën nga vendi i ngjarjes

Tiranë - Denis Xhixha, pasi ka krijuar një zallamahi aksidentesh të njëpasnjëshme, është larguar nga vendi i ngjarjes. Burime nga policia rrugore pohuan se dy ditë më parë Xhixha është arrestuar një orë pas largimit nga vendi i ngjarjes. I riu, banor i Tiranës, tri ditë më parë, në rrugën “Ali Demi”, duke drejtuar mjetin tip “ Benz” pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë” ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit duke dalë nga rruga e duke hipur në trotuar dhe për pasojë ka aksidentuar një shtetas. Duke tentuar për të dalë përsëri në rrugë, ky shtetas ka aksidentuar një biçiklist, si dhe ka goditur një automjet. Më pas është larguar duke braktisur automjetin 1 km larg vendit të ngjarjes. Të dëmtuarit u dërguan në spitalin “Nënë Tereza”. Materialet në ngarkim të Xhixhës i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtim të automjetit pa dëshmi aftësie” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

Kavajë, tentuan të vidhnin, bien në pranga

Tiranë - Forcat e policisë të Komisariatit të Kavajës bënë të mundur dje arrestimin në flagrancë të Lorenc Shehit, 21 vjeç, banues në Kavajë, si dhe të Florant Çelës, 21 vjeç, banues në Kavajë.
Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin një lokal bar Eurolloto, pronë e një shtetasi.
Në cilësinë e provës u sekuestruan dy kaçavida, të cilat dy të sipërpërmendurit i kishin me vete. Materialet në ngarkim të shtetasve Lorenc Shehi dhe Florant Çela i kaluan Prokurorisë për veprën penale “vjedhje në bashkëpunim”.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›