E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, nga katastrofa civile në protestë qytetare

Nevoja për t’u kthyer në shtëpitë e dëmtuara. Banorët u konfrontuan me Policinë Ushtarake
Ervin Koçi

Nisi si një nevojë për t’u kthyer në shtëpitë e dëmtuara për të marrë ato pak orendi e veshje që mund të kishin shpëtuar, ajo që më pas do të përshkallëzohej në një revoltë kolektive. Me kërkesën “duam të rikthehemi në shtëpitë tona”, banorët e revoltuar të fshatit Gërdec të Tiranës kanë nisur replikat dhe konfrontimet e para me forcat policore. Banorët e Gërdecit, fillimisht të paktë në numër, janë shtuar më pas duke bërë real dhe fizik konfrontimin me efektivët e Policisë Ushtarake, të cilët nuk pranonin që banorët e fshatit të futeshin në zonën e rrezikut. Por as sqarimet nga ana e Policisë Ushtarake dhe as nga autoritetet e tjera të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Emergjencës, nuk e ka ndalur situatën të agravohej rreth mesditës, e shtyrë prej dëshpërimit. Me thirrjet: “Duam të kthehemi në shtëpitë tona”; “Duam të ruajmë shtëpitë tona”, banorët e shumtë të fshatit Gërdec, të përkrahur edhe nga banorë të irrituar të Vorës, kanë tentuar të hyjnë në fshatin e rrënuar. “Duam të mbrojmë pronën tonë! Po na plaçkitin pronat”, - shpreheshin banorët e revoltuar para autoriteteve dhe policisë. Sipas banorëve, ka qenë policia e cila i ka ndaluar të hyjnë në fshat. Por, nga ana tjetër, ata kanë pretenduar se “në zonën e rrethuar nga ushtria, njerëz të caktuar kanë nisur të plaçkitin pasuritë e tyre, në një kohë që kanë përfolur edhe për njerëz me uniformë”. Kjo gjë ka çuar deri në konfrontim me forcat e Policisë Ushtarake dhe atyre të Rendit, çka ka sjellë edhe më pas një protestë të madhe.

Protesta

Insistimi i banorëve për të mbrojtur me çdo kusht shtëpitë dhe pronat e tyre ka vazhduar gjatë gjithë paradites së djeshme në hyrje të fshatit të goditur nga tragjedia, gjë që ka çuar në konfrontim me Policinë Ushtarake. Kjo e fundit ndodhej në zonë së bashku me efektiva të tjerë të Ushtrisë dhe Policisë, në kuadër të operacionit për inspektimin dhe çminimin e zonës së rrezikshme pas shpërthimit të fabrikës së municioneve. Policia Ushtarake nga ana e saj e ka justifikuar pengimin e banorëve për të hyrë në fshat për shkak të rrezikut që ekziston ende në zonën e dëmtuar, sepse nga të gjitha anët ka pjesë predhash që janë “mbjellë” ngado, pas shpërthimit të së shtunës mbrëma. Sipas tyre, “minat, predhat e shpërndara, djegoret dhe pajisje të tjera të rrezikshme, mund të ishin futur edhe nëpër shtëpitë e banorëve, duke përbërë kështu një rrezik serioz për jetën e tyre”. Por banorët thoshin se “shpërthimet kishin përfunduar dhe ata nuk kishin pse të qëndronin në konvaleshencë kur mund të fillonin nga rregullimi i banesave të tyre”. Kjo çoi mandej në një protestë që nga sporadike u bë e organizuar dhe bëri që për mjaft orë të bllokohej edhe autostrada Tiranë-Durrës. Ndërkohë, banorët, të cilët u shtuan së tepërmi, i vunë flakën e dhe një gome në shenjë proteste, si dhe hodhën një mori parullash, ndër të cilat edhe atë për dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e cila u krye po dje, duke i dhënë fund protestës dhe indinjatës së banorëve të Gërdecit.

Situata

Shpërthimi në fshatin Gërdec të Tiranës, pas shpërthimit të tri ditëve më parë, ka nisur që t’i kthehet normalitetit të saj. Nga shpërthimi i fuqishëm dhe nga shkatërrimi i disa shtyllave të tensionit të lartë, mbeti pa drita për rreth dy ditë e gjithë zona përreth fshatit. Për këtë arsye, tre grupe pune të gatishmërisë së avarive të ngritura nga KESH-i nisën dje punën për rikthimin në situatën normale në furnizimin me energji elektrike në zonat përreth fshatit dhe qytetit të Vorës. Burime nga KESH-i bënë të ditur se grupet e punës, pasi përcaktuan zonat e rrezikshme dhe punuan gjatë gjithë ditës edhe për përcaktimin e defekteve në nënstacion dhe në linjat përreth zonës, të dëmtuara nga shpërthimet. Ndërkohë, në zonat e banuara ku dëmtimet ishin më të vogla, u rikthye furnizimi me energji elektrike. Sipas drejtorit të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, i cili ndodhet në Shtabin e Emergjencës në Vorë, grupet e punës filluan dje në terren, evidentimin e të gjitha dëmeve materiale të shkaktuara nga shpërthimi i ndodhur në Gërdec, dy ditë më parë. “Duhet të dimë një vlerë të përafërt të dëmit për banorët që u prekën nga ky shpërthim, në mënyrë që të bëhet një vlerësim sa më real në zonat e prekura”, - tha kreu i Emergjencave Civile, Olli. Statistikat paraprake nga prefektura, qarku dhe Bashkia Vorë, tregojnë për rreth 2383 banesa të dëmtuara, ku 313 banesa janë shkatërruar plotësisht, 185 banesa rezultojnë me dëmtime të rënda, 195 me dëmtime të mesme dhe 1690 banesa me dëmtime të lehta.

Braho, deputeti më i ri i Kuvendit, pranë të prekurve nga tragjedia

Deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Spartak Braho, ka qenë dje pranë banorëve të dëmtuar dhe të mbijetuar të tragjedisë së fshatit Gërdec. Pasi ka vizituar të plagosurit të Spitalin Ushtarak, deputeti Spartak Braho ka shkuar për të vizituar edhe banorët e shpërngulur tashmë nga shtëpitë e tyre në afërsi të Vorës, si dhe ata që ishin strehuar përkohësisht në Konvaleshencën e Durrësit. Në bisedat me ta deputeti Braho është munduar që të qetësojë banorët e fshatit Gërdec për shëndetin e të afërmeve të tyre që ndodhen në spital, si dhe për shtëpitë e tyre, të cilat kanë mbetur në mëshirë të fatit. Po kështu, i ndodhur në vendngjarje, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, është mundur që të qetësojë edhe një protestë të nisur spontanisht nga banorët e irrituar të fshatit Gërdec, të cilët po mundoheshin që të hynin në shtëpitë e tyre. Deputeti Braho, i ndodhur para një situate të tillë delikate, është munduar që t’i ndihmojë banorët për të mos e rënduar gjendjen e vështirë, që akoma nuk ka përfunduar pas tragjedisë së dy ditëve më parë.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›